Aktori i njohur i Ezel, jashtë profilit që njihni, vizitë në Prizren

Në kuadër të edicionit të parë të Festivalit të Filmit Turk në Prizren, kanë filluar të mbërrijnë në Kosovë edhe aktorët, regjisorët dhe producentët që do të marrin pjesë në këtë event. Në festival do të jetë i pranishëm edhe aktori i famshëm turk i serialeve dhe filmave Yiğit Özşener, të cilin publiku shqiptar e njeh veçanërisht për rolin në serialin “Ezel.”

Özşener ka ndarë me miqtë edhe disa foto në profilin e tij në Instagram. Bashkë me miqtë dhe bashkëpunëtorët, Özşener ka vizituar këto ditë Prizrenin, i cili, siç tregon edhe vetë aktori, i ka pëlqyer shumë.

Nga data 8 deri më 15 shtator, në Festivalin e Filmit në Prizren pritet të shfaqen filmat e suksesshëm të kinemasë turke të viteve të fundit. Gjatë këtyre ditëve, do të shfaqen gjithsej 11 filma që do të ndiqen edhe nga aktorët, regjisorët, skenaristët e brezit të vjetër dhe të ri nga Turqia. Ediz Hun, Çağan Irmak, Yiğit Özşener janë vetëm disa nga emrat e njohur të kinematografisë turke që do të jenë të pranishëm në edicionin e parë të Festivalit të Filmit Turk në Prizren. Ediz Hun, aktori i famshëm dhe i respektuar i kinemasë turke, do të jetë mysafir nderi në këtë festival, madje do të nderohet edhe me çmim.

Publiku i Prizrenit do të ketë mundësi të takojë dhe bashkëbisedojë edhe me Çağan Irmak, regjisorin dhe skenaristin turk, serialet dhe fılmat e të cilit janë të njohura edhe për publikun shqiptar në Shqipëri e Kosovë.

loading...

KOMENTO