Më datë 20 Maj, Autoriteti i Mediave Audiovizive në bashkëpunim me Ministrinë e Inovacionit dhe Administratës Publike në kuadër të Javës së Inovacionit organizuan konferencën “Media e gjeneratës tjetër”. Në aktivitet u prezantuan risitë e fundit të aplikuara në Shqipëri në infrastruktura të ndryshme të transmetimit numerik si tokësore, satelitore, CaTv, IPTV, vizioni në të ardhmen dhe roli i tyre në garantimin e parimeve bazë të medias: pluralizëm, diversitet dhe pavarësi.
Konferencën e përshendeti Ministria për Inovacionin dhe Administratën Publike, Znj. Milena Harito, e cila vuri theksin te procesi i digjitalizmit që po kalon vendi, duke e cilësuar këtë si një pikë komplekse që ndikohet nga bashkëpunimi i shumë aktorëve. Ministria cilësoi se ky proces në vendin tonë ka ecur mirë falë këtij bashkëpunimi dhe sot jemi në një pikë të avancuar të tij. Ajo gjithashtu theksoi se ky ndryshim i ri teknologjik do të sjellë një peizazh mediatik të ndryshuar, do të ridimensionojë mënyrën e të parit TV dhe do të ndikojë në rritjen e ekonomisë.
Në fjalën e tij, Kryetari i AMA-s Z. Gentian Sala theksoi se fokusi i Autoritetit që ai drejton ka qenë dhe mbetet maksimizimi i ofertës për publikun, pasi për qytetarët ngjall më shumë interes buqeta e programeve që platformat dhe kanalet ofrojnë, se sa parametrat e teknikës dhe teknologjisë. Me fokusin tek Transmetuesi Publik, Z. Sala tha se AMA mbetet e investuar tek shumëfishimi dhe cilësia e programeve, që ato të destinohen për të gjitha grupmoshat, por dhe të jenë të shumëllojshme.
“Ne kemi besim se dialogu dhe komunikimi mes dy institucioneve tashmë do të jetë edhe më intensiv me zgjedhjen e menaxhmentit të ri të RTSH-së, për të mbërritur tek objektivi ynë i përbashkët, nënshkrimi i Kontratës së Shërbimit Publik” – tha Z. Sala në fjalën e tij.
Po ashtu, z. Thoma Gëllçi, Drejtori i sapozgjedhur i Radio Televizionit Shqiptar, fjalën e tij e ndërtoi me krahasimin e madh që ka pësuar gazetaria ndër vite. Ai i vuri rëndësi kuptimit më të qartë nga ana mediave në atë që ai e quajti “dallimi i interesit të publikut përballë asaj që është interesante për publikun”. RTSH-ja, për Z. Gëllçi është një mekanizëm shoqëror që paraprin ndryshimet e mira në shoqëri dhe teknologjia është vetëm një mjet në shërbim të këtij qëllimi.
Konferencën e përshëndeti dhe Z. Erkan Tabak, Drejtori i Përgjithshëm i Albtelecom, ku dha një pasqyrë të plotë të investimeve të kryera nga kjo shoqëri në fushën e teknologjisë dhe medias.
Operatorët kryesorë në fushën e transmetimeve audiovizive paraqitën një panoramë të investimeve të kryera gjatë viteve të fundit në teknologjinë audio dhe audiovizive në vend. Kjo, si në infrastrukturën transmetuese ashtu edhe në ofrimin e shërbimeve programore. Gjatë këtyre prezantimeve u trajtuan dhe argumente të cilat lidhen me sfidat dhe angazhimet me të cilat përballet tregu audioviziv në kuadër të zhvillimeve të reja në teknologjinë e transmetimeve audiovizive dhe të telekomunikacionit.
Në konferencë ishin të ftuar, gazetarë, subjekte audioviozive, organizatat ndërkombëtare, studiues të medias, shoqëri të telekomunikacionit si dhe gjithë grupet e interesit mbi median dhe teknologjinë.
Autoriteti i Mediave Audiovizive