Ka nisur i nxehtë sezoni i ri i debateve politike të së enjtes mbrëma. Tema e dy emisioneve kryesore, Opinion dhe Top Story, që transmetohen përkatësisht në TV Klan dhe Top Channel, ishte vjedhja në Bankën e Shqipërisë, që çoi deri në arrestimin e ish guvernatorit Ardian Fullani, krahas 18 personave të tjerë.
Shikuesit kanë qenë të ndarë mes diskutimeve të shtruara të Top Channel dhe debatit më të ndezur në TV Klan. Megjithatë, “betejën” duket se e ka fituar debati në Opinion, që tentoi të fokusohej në prapaskenat e arrestimit të ish guvernatorit.
TV Klan ka arritur një rating maksimal (Rating – tregon shikueshmërinë gjatë një fashe kohore apo programi televiziv, e shprehur kjo si përqindje e totalit potencial të audiencës; pra duke përfshirë edhe familjet që nuk janë duke parë televizor), prej gati 15% gjatë kohës së transmetimit të Opinion. Për Top Story, rating maksimal ka arritur në 10%.
Të dhënat e audiencës bëhen të ditura nga nga kompania “Telemetrix”, që mundëson llogaritjen e audiencës në kohë reale, në bazë të një teknologjie dhe sistemeve më të fundit në këtë fushë.
Shikuesit nuk kanë ngurruar ta kthejnë kanalin sa te njëri emision, e sa te tjetri, duke e ulur ndjeshëm audiencën përkatëse në kohën e transmetimit të reklamave.
Më herët, në fashën orare 20.00-21.00, më i shikuari ka qenë emisioni investigativ në Top Channel, “Fiks Fare”, i cili ka arritur një rating prej gati 17%. Ky emision i rikthehet sërish kryesimit, duke “përfituar” nga mbarimi i serialit të Klan, “Dashuri e Ndaluar”, që sezonin e kaluar shënoi një audiencë rekord në këtë fashë orare.
I dyti më i ndjekur në këtë orë ka qenë telenovela e transmetuar nga Vizion Plus, “Lugina e Ujqërve”, ndërsa mbetet të shihet nëse telenovela e re turke që pritet të fillojë në TV Klan, do të arrijë të ketë të njëjtin sukses si të mëparshmet.
Metodologjia
Telemetrix SH.A., që operon zyrtarisht që prej muajit shtator 2012 me instalimin e matësve të parë, ofron matjen e shikueshmërisë televizive në Shqipëri, realizimi i së cilës bëhet nëpërmjet teknologjisë dhe sistemeve më të fundit të përdorura në këtë fushë, si dhe një paneli të përzgjedhur rigorozisht për të arritur përfaqësueshmërinë e tregut, sipas burimeve zyrtare nga kompania.
“Kompania ka investuar gjerësisht në krijimin dhe prodhimin e një matësi elektronik – TiViMat (koncepti i ‘peoplemeter”) si dhe në programimin e një ‘softëare’ të fuqishëm për realizimin e matjes së shikueshmërisë televizive. Skuadra e ‘Telemetrix’ ka projektuar dhe zhvilluar të gjitha platformat e monitorimit dhe raportimit të të dhënave të shikueshmërisë për përdorim të klientëve të saj
“Telemetrix” ka krijuar një panel prej 350 familjesh të përzgjedhura rigorozisht sipas kritereve të paracaktuara, të vendosura në 6 qytete kryesore të Shqipërisë; Tirana, Durrësi, Elbasani, Shkodra, Fieri dhe Berati.
Baza e të dhënave të gjeneruara nga “Telemetrix” është “në nivel minute; “Rating per Minute” në nivel familjeje (household).
ADVERTISEMENT