Audienca e të enjtes mbrëma: Opinion, apo Top Story?

Dy programet politike, që tërheqin vëmendjen më të madhe të shikuesve të enjten në mbrëmje (dt. 5 qershor), e kanë nisur në pozita të barabarta “garën” e përjavshme, sipas sipas të dhënave nga kompania “Telemetrix”, që mundëson llogaritjen e audiencës në kohë reale, në bazë të një teknologjie dhe sistemeve më të fundit në këtë fushë.
Pasi pjesa më e madhe e teleshikuesve ka ndjekur telenovelën Dashuri e Ndaluar, në TV Klan, që vijon të ketë audiencë rekord, me një rating mbi 20% (Rating – tregon shikueshmërinë gjatë një fashe kohore apo programi televiziv, e shprehur kjo si përqindje e totalit potencial të audiencës; pra duke përfshirë edhe familjet që nuk janë duke parë televizor), ai ka zbritur në rreth 12% në orën 9, tek të dy kanalet, Top Channel dhe Tv Klan, teksa shikuesit kanë pritur se cilët do të ishin të ftuarit e mbrëmjes.
Stafetën më pas e ka marrë Opinion, i TV Klan, i cili ka arritur të kalojë sërish në emisionin më të ndjekur të së enjtes mbrëma, pasi e humbi këtë pozicion javën e kaluar, kur kryeministri i vendit shënoi audiencën më të lartë në Top Story.
Tema e diskutimeve fetare e zgjedhur nga Blendi Fevziu ka rezultuar më interesante për shikuesit, sesa debati për rezultatet e komisionit hetimor të drogës, të zgjedhur nga Sokol Balla.
Megjithatë, diferenca në rating mes dy programeve nuk ka qenë shumë e lartë, me Opinion që ka arritur një rating maksimal prej 16.5% dhe Top Story në rreth 12%.
I treti në renditje ka qenë filmi i transmetuar nga Vizion Plus.
Pas mbarimit të Opinion, audienca kryesore në orët e vona të mbrëmjes, ka qenë për Top Channel.

Metodologjia
Telemetrix SH.A., që operon zyrtarisht që prej muajit shtator 2012 me instalimin e matësve të parë, ofron matjen e shikueshmërisë televizive në Shqipëri, realizimi i së cilës bëhet nëpërmjet teknologjisë dhe sistemeve më të fundit të përdorura në këtë fushë, si dhe një paneli të përzgjedhur rigorozisht për të arritur përfaqësueshmërinë e tregut, sipas burimeve zyrtare nga kompania.
“Kompania ka investuar gjerësisht në krijimin dhe prodhimin e një matësi elektronik – TiViMat (koncepti i ‘peoplemeter”) si dhe në programimin e një ‘softëare’ të fuqishëm për realizimin e matjes së shikueshmërisë televizive. Skuadra e ‘Telemetrix’ ka projektuar dhe zhvilluar të gjitha platformat e monitorimit dhe raportimit të të dhënave të shikueshmërisë për përdorim të klientëve të saj
“Telemetrix” ka krijuar një panel prej 350 familjesh të përzgjedhura rigorozisht sipas kritereve të paracaktuara, të vendosura në 6 qytete kryesore të Shqipërisë; Tirana, Durrësi, Elbasani, Shkodra, Fieri dhe Berati.
Baza e të dhënave të gjeneruara nga “Telemetrix” është “në nivel minute; “Rating per Minute” në nivel familjeje (household).

loading...

KOMENTO