Countdown-i ka filluar… Edhe -3 ditë na ndajnë nga fillimi i ngjarjes më të rëndësishme të futbollit. Kampionati FIFA World Cup Brasil 2014 këtë herë për të gjithë teleshikuesit e RTSH do të pasqyrohet në 360°, duke ju ofruar alternativën më të mirë, gjithçka falas! Madje edhe në HD.
Redaksia sportive e Radio Televizionit publik në bashkepunim me sektorin e kanaleve digital-e është mobilituar gjatë javëve të fundit për të sjellë një paketë programesh dedikuar Botërorit Brazil 2014. Gjithçka do të inagurohet sot duke filluar nga ora 16.30 me emisionin “Paso Boterori 2014″, nën drejtimin e Ervin Çela dhe Alban Hasani me pjesëmarrjen e Hygerta Sako që do të prezantojë nje rubrikë të përditshme me parashikimet e rezultateve të ndeshjeve nën shoqërine e një miku shumë special.
Programi është konceptuar si një show televiziv me të gjithë elementët përbërës, ku përveç kryefjalës futbollit, nuk do të mungojnë humori i një band të përbere nga tre aktorë të rinj dhe të ftuarit special nga fusha të ndryshme. Një tjetër program që do të plotesojë programacionin ditor të RTSH do të jetë “Goli i fundit” me disa nga ekspertët dhe analistët e fushës që do të përcjellin çdo mbrëmje analizat e ndeshjeve.
Të gjitha ndeshjet e Kupës së Botës 2014 do të mund të ndiqen pa pagesë në kanalet RTSH HD, RTSH Sport të platformës RTSH Digital. Kanalet digital mund të shihen vetëm nëpërmjet televizoreve HD me dekoder të integruar ose me një dekoder digital duke bërë kërkim automatik në kanalin me frekuencë 53 banda UHF. Ndërsa për të gjithë ata qe ndjekin RTSH me një televizior të thjeshtë, në analog Botërori do mund të ndiqet në kanalet TVSH dhe TVSH 2, në transmetim FM në valet e Radio Tirana si dhe për më të avancuarit në livestream (këtu).