Botërori dhe histeria kolektive e TV shqiptare

Është bërë e modës për televizionet shqiptare, që në çdo Kampionat Botëror apo Europian, të bëjnë emisione të përditshme sportive.

Por, këtë vit duket sikur është kthyer në një histeri të vërtetë.

Ngado ta lëvizësh pultin, do të ndeshesh me një emision sportiv.

Dhe, sheh lloj-lloj çudirash.

Fjala vjen, në një prej këtyre emisioneve, drejtuesi fliste italisht(pasi është italian) dhe përkthehej nga dikush tjetër.

Por, ajo që është më e bukura, ka të bëjë me të ftuarit.

Në të gjithë emisionet bëhet kujdes që të ketë një apo dy femra. Mundësisht të jenë simpatike.

Ndonjë artist, këngëtar apo aktor kryesisht.

Më pas duhet të jetë i ftuar edhe një politikan, për të treguar anën e tij sportive.

Dhe në fund, natyrisht edhe një apo dy njerëz që kanë lidhje me futbollin.

Sheh larshmëri njerëzish që flasin papushim me kompetencë, ndërkohë që as vetë nuk e dinë çfarë thonë.

Ja një dialog i shkurtër nga një prej këtyre emisioneve:

Botërorin e 2006-s e kam ndjekur me pasion, pasi e mbuloja si gazetare këtë ngjarje. Finalja Gjermani-Itali ishte shumë e bukur.

-Më fal, po ishte gjysëmfinale.

-Jo, ishte finale, e kam mbuluar si gazetare.

-E nejse, s’do të mbush mendjen ty.

Xhevaire të tilla mund të dëgjosh pafundësisht nëse ke durimin të dëgjosh nga pak këto emisione.

Të dëgjosh analiza për ndeshjet ndërkohë, s’bëhet fjalë.

Kampionatet Botërore janë evenimente që kanë një audiencë maksimale në të gjithë botën.

Por, nëse sheh ta zëmë televizionet britanike, nuk ke politikanë apo femra që s’dinë as vetë pse janë në studio, por ekspertë futbolli dhe ish-futbollistë.

Janë njerëz që flasin qetë dhe në mënyrë profesionale për futbollin.

Nuk sheh histerizma dhe klithma pa pikën e përmbajtjes si në emisionet tona sportive.

Ndoshta drejtuesit e këtyre televizioneve duhet të hidhen përtej Italisë, kur kopjojnë.

Të paktën do ishin më pak acarues.

Por, kjo është si një pikë uji në oqeanin e madh.

Këto emisione nuk tregojnë veçse degradimin që vazhdon prej vitesh me televizionet shqiptare, të cilat, jo vetëm që s’kanë asnjë ide, por tashmë bëjnë vetëm zhurmuesin.

Opinion nga Bledi Lumani

KOMENTO