Debat i ashpër mes Albanës dhe Oltit: Prezantuesja ndërpret emisionin

Moderatorja dhe opinionisti nisën të debatonin për sherrin Ervin-Damiano-Olsi, që solli një ndëshkim nga ‘Big Brother’ për tre konkurrentët. Gjatë këtij debati pati provokime, tone të ashpra, të pështyra dhe nervozizëm të papërmbajtur mes tre banorëve.

Teksa diskutohej kjo në “Big Brother Fanclub”, Albana Osmani kundërshtoi hapur disa herë radhazi Olti Currin, që argumentonte se shenjat e dhunës nga ana e Ervinit dhe Olsit nuk mund të justifikohen në asnjë lloj mënyre. Sipas Albanës, gjëra të tilla ndodhin për shkak se secili banor brenda shtëpisë sjell një kulturë të ndryshme që ndikohet nga vendi ku është rritur.

“Më lër të mbaroj.”, e ndërpreu Albana, “Po thoja se në Big Brother ka njerëz me personalitete të ndryshme, që janë ndikuar nga kultura të ndryshme. Nuk po e zbus, nisa një argument tani nëse ti do t’i dënosh me fjalë të ashpra, mund të vazhdosh.”

Por sipas Oltit, nuk ka asgjë që mund të justifikojë dhunën në ekran, pasi jep shembull tepër negativ.

“Ne nuk kemi asnjë vendim, autorët janë të tjerë që i kanë të gjitha përgjegjësitë. Po të isha unë autor i ‘Big Brother’, sikur Ervini dhe Olsi të kishin jo fatin e ‘Big Brother’-it, por fatin e Top Channel-it në dorë, do t’i kisha nxjerrë me ceremoni jashtë shtëpisë.” Dhe shtoi: “Megjithatë, të mos harrojmë edhe se Damiano është “mistrec Berati”.

Pas kësaj erdhi edhe një tjetër përplasje, kësaj radhe për Armelën.

“Armela brenda shtëpisë së beqarëve kishte vajza moshatare dhe bisedat që bënte ishin për kremërat, qerpikët […] kurse këtu nuk ka me kë t’i bëjë këto biseda.”, u shpreh Olti.

Këtu Albana e ndërpreu përsëri:

“Më lejo të kundërshtoj, kam një mendim në lidhje me këtë vajzën. Jemi vajza dhe do të diskutojmë për kremërat.” “Por më lejo të them se kjo vajza nuk ka folur vetëm për kremin. Ty të duket kështu sepse e ke parë me këtë optikë. Ajo ka pasur argumente të duartrokitura nga publiku edhe gjatë debateve në spektaklet live.”

Megjithatë, ajo që nervozoi më shumë të dyja palët ishte kur Olti Curri kërkoi t’i bënte një pyetje gazetares së ftuar, kurse Albana po fliste me çiftin që doli nga shtëpia e ‘Big Brother’, Ejona dhe Ademi.

Po ndalojmë tek ty tani, se Olti preferon të bëjë pak humor gjithmonë.”-i tha Albana Ejonës. Por Olti insistoi të vijonte me pyetjen e tij për gazetaren sesi priten nga publiku lajmet për sherret brenda shtëpisë.

“Mbaje mend këtë pyetje”, iu drejtua Albana gazetares, “ Se duhet të bëja një pyetje dhe më duhet ta mbaroj.”

Olti ishte i vendosur ta çonte deri në fund: “E mbarojmë pak më vonë.

Këtu Albana u nervozua tejmase, ndonëse i përmbajti tonet: “Jo, nuk mund ta mbarosh sepse jam unë duke drejtuar programin.”

E ndërsa gazetarja e “Blitz” nisi t’i kthente përgjigje Oltit, Albana vendosi të ndërpriste emisionin.

“Më fal e dashur, ka një gjë që nuk shkon. Do të shkojmë në publicitet dhe do të rikthehemi pas pak.”

Më vonë, pas hapësirës publicitare, Albana bëri një apologji duke u shprehur se është normale që të ndodhin të tilla gjëra edhe me ta, sepse përfshihen në çështjet e banorëve brenda shtëpisë.

Kliko këtu për të parë videon e publikuar nga faqja “Big Brother Albania” (jo zyrtare) në Facebook

KOMENTO