Si pritet të ndikojë procesi i dixhitalizimin në biznesin e televizioneve kombëtare, lokale e kabllore dhe tregun e reklamave. Implikimet për publikun. Nuk ka ende një afat se kur mund të përfundojë i gjithë procesi, i cili do të shoqërohet me kosto, por që do të garantojë më shumë cilësi dhe ndërveprim. Çfarë të presim nga epoka e re e televizioneve
Nga Elona Bedalli
Në 10 vitet e fundit, vendet europiane kanë kaluar nga transmetimi analog në atë numerik, duke pasur përfitime ekonomike dhe sociale. Nga një studim i Komisionit Europian rezultoi se përfitimet e dixhitalizimit në BE mund të llogariten deri në 700 miliardë euro në 15 vitet e ardhshme.
Shqipëria është një realitet i vogël.
Zbatimi i këtij procesi duhet të përmbushet shumë shpejt. Ka shumë arsye se përse po ndërmerret, por kryesorja ka të bëjë me shmangien e monopolizimit të tregun mediatik, duke siguruar që të gjithë operatorët të kenë mundësinë e një zgjedhjeje.
Por çfarë pritet të ndryshojë?
I gjithë procesi do të sjellë përfitime të drejtpërdrejta që do të jenë të prekshme nga ana e publikut, ku ndër më kryesoret është rritja e cilësisë së shërbimit televiziv. Të gjitha programet që aktualisht transmetohen në rrugë analoge do të kalojnë në transmetime dixhitale.
Do të ketë më shumë kanale televizive në dispozicion të publikut. Në këtë mënyrë do të rritet gama e programacionit, i cili përveçse gjeneralist do të jetë edhe tematik.
Televizionet lokale në rrethe mund të mbyllen nga kostot e larta
Televizionet me licencë kombëtare janë më në pararojë. Ato kanë avancuar ndjeshëm në realizimin e këtij procesi.
Më e madhe është sfida për televizionet lokale, kryesisht ato në rrethe, e ku nuk përjashtohen edhe mbylljet.
Investimi për ta kthyer televizionin nga analog në dixhital është i lartë dhe kjo për televizionet e vogla është një ‘sforcim’ i madh që detyrimisht duhet të përballohet në të kundërt konkurrenca do të bëjë të vetën. Eduard Leli është pronari i televizionit “Amantia’ në Vlorë, i cili ka rreth 20 vjet që transmeton në qytetin më të madh bregdetar në vend. Ai e vlerëson si të nevojshëm procesin e dixhitalizimit dhe se përgatitjet duhet të ishin bërë prej kohësh. “Dixhitalizimi është diçka pozitive dhe ne jemi të informuar për detyrimin që kemi për ta përmbushur. Megjithatë duhet të theksohet se kjo nismë kërkon investime dhe ne, televizionet në rrethe nuk kemi kapacitete. Janë investime që mund të shkojnë në mijëra euro”, thotë z. Leli.
Investimet e larta nga njëra anë dhe tarifat që duhet të paguhen kundrejt televizionit publik shqiptar në anën tjetër, mund të bëhen shkak që stacione të ndryshme televizive në vend të mbyllen. Tek e fundit tregu do të jetë ai që do të seleksionojë dhe do të bëjë që në të të rrinë vetëm ata që do të kenë kapacitete të mjaftueshme.
Edhe Albana Kraja, drejtuese e marketingut në televizionin ‘Star’ në Shkodër, thotë se ky proces është i pashmangshëm dhe se nga ana e tyre janë bërë investimet e nevojshme për transmetimet në format HD. Ky televizion ka rreth 3 vjet që është ‘on air’ dhe siç thotë edhe znj. Kraja, aparatet janë që të gjitha të teknologjisë së re.
Tarifat, sipas znj. Kraja që do të duhet të paguhen për të bërë të mundur transmetimet dixhitale janë një çështje që duhet të analizohet dhe se do të kenë ndikim. Sipas saj, subjektet që nuk do të mund të përballojnë kostot do të shkojnë drejt mbylljes.
Tarifat mujore që duhet të paguajnë operatorët lokalë (qiraja për përdorimin e platformës së ngritur nga transmetuesi publik RTSH) variojnë nga rreth 1000 euro/muaj në rrethe në 2000 euro në Tiranë. Ndërsa për televizionet lokale në Tiranë mund ta përballojnë një tarifë të tillë për rrethet kjo vlerësohet si tepër e lartë.
Leli i “Amantia” e vë theksin te tarifat që do të duhen të paguhen nga lokalët ndaj televizionit publik (1,000 – 1,300 euro) duhet të rishikohen pasi janë të larta dhe se shteti duhet të krijojë lehtësi. Ai thotë se për mediat lokale një problem i ndjeshëm ka të bëjë edhe me të drejtat e autorit, për të cilën po fillohet të paguhet. Sipas tij duhet të ndiqet shembulli i Greqisë e cila takson mediat vizive 4% të xhiros për të drejtat e autorit, ndërsa në Shqipëri ndodhin absurde të mëdha.
Në Tiranë, drejtuesit e disa prej televizioneve lokale pranojnë gjithashtu se ky është një proces i domosdoshëm. “Kostoja është disi e lartë, por është detyrim ligjor për të gjithë operatorët e tregut”, thotë Elvana Hana, drejtuese e televizionit Scan. Ndërsa drejtuesi i programacionit në Vizion Plus, Gjergji Memo thotë se për televizionet analoge lokale, kjo konkurrencë do të jetë më e fortë për shkak se ato do të transmetojnë në të njëjtën platformë, së bashku me televizionet e mëdhenj dhe të konsoliduar.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm ka të bëjë edhe me marrëdhënien që do të duhet të zhvillohet me operatorë të ndryshëm televiziv, siç janë ata që transmetojnë përmes rrjetit kabllor. Kjo kategori do të duhet të hyjë në marrëveshje me televizionin publik për të shfrytëzuar rrjetin e tij, natyrisht përmes disa tarifave të përcaktuara.
Përtë mos krijuar vështirësi financiare, nga këto invesitme do të lihet një periudhë ‘tranzitore’ ku do të mund të zbatohet si platforma dixhitale, ashtu edhe ajo analoge.
Sipas ekspertëve të AMA, dixhitalizimi mund të ndikojë negativisht tregun e kabllorëve. Shumë klientë në rrethe abonoheshin tek këta operatorë për të parë kanalet kombëtare, por tashmë me sistemin dixhital ata do mund t’i shohin direkt TV-të kombëtare.
Në lidhje me ndikimet në tregun e reklamave opinionet janë të ndryshme. Për drejtuesit e Autoritetit të Mediave Vizuale, rritja e cilësisë së shërbimit në tërësi do të garantojë më shumë të ardhura, që do të përftohen nga reklamat që do të jenë më të shumta në numër. Nga ana tjetër, bizneset do të kenë më shumë alternativa për të reklamuar dhe për të arritur direkt te tregu i synuar, për shkak të shtimit të kanaleve tematike. Shtimi i hapësirave për të reklamuar mund të çojë dhe në rënie të tarifave të reklamave për sekondë.
Por, drejtuesit e televizioneve lokale thonë se tregu i reklamave nuk pritet të ndryshojë në mënyrë të ndjeshme. Sipas tyre, ka gjasa që tarifat më të lira mund të sjellin një rritje të tregut të reklamave, por kjo mund të ndikojë te cilësia, si dhe në mbushjen e tregut me informacione të panevojshme.
Kostot për aparatet
Një tjetër aspekt i procesit të dixhitalizimit ka të bëjë edhe me kostot për blerjen e aparateve të rinj, dekodera, të nevojshme për të marrë shërbimet dixhitale. Drejtuesit e AMA-s sqarojnë se aparatet e viteve të fundit e kanë të përfshirë këtë pajisje dhe në këtë rast nuk do të jetë e nevojshme blerja e tyre. Në të kundërt blerja e pajisjes është domosdoshmëri. Çdo tip televizori, sado i vjetër të jetë me pajisjen e dekoderit DVB-T2, do të mund të shohë transmetimet numerike.
Për kategorinë e popullsisë që përfiton ndihmë ekonomike nga shteti do të bëhet e mundur që ta përfitojnë këtë pajisje në mënyrë të subvencionuar.
Më shumë alternativa për shikuesit
Në përfundim të procesit të dixhitalizimit, publiku i gjerë do të përfitojë shërbime me cilësi të lartë, më shumë programe të lira (pa pagesë), më shumë shërbime dhe aplikacione të reja, mbrojtje më të mirë për fëmijët dhe më shumë ndërveprim me televizorin tuaj.
Ndërsa për qeverinë shqiptare, ambicia është që deri në vitin 2017, pjesa dërrmuese e shërbimeve të mund të ofrohen online për qytetarët.
Sot, si rezultat i revolucionit dixhital, janë 8 kanale dixhitale që mund të transmetojnë në frekuenca, të cilat më parë përdoreshin vetëm nga një kanal analog. Pra, do të kemi më shumë kanale që do të përdorin më pak frekuenca. Kjo do të ofrojë më shumë mundësi edhe për operatorët e rinj për t’u futur në treg.
Jo më transmetime analoge
Pas përfundimit të procesit të dixhitalizimit nuk do të mund të shihen më programet nëpërmjet transmetimeve analoge ekzistuese, të cilat do të zëvendësohen me transmetime dixhitale.Përfitimet
Në përfundim të procesit të dixhitalizimit, publiku i gjerë do të përfitojë shërbime me cilësi të lartë, më shumë programe të lira (pa pagesë), më shumë shërbime dhe aplikacione të reja, mbrojtje më të mirë për fëmijët dhe më shumë ndërveprim me televizorin tuaj.
Televizionet lokale: Konkurrencë e fortë, investime të larta
Televizionet kombëtare i kanë paraprirë më herët këtij procesi dhe në pjesën më të madhe, transmetimet e tyre janë kthyer në platformën dixhitale. Procesi do të jetë më i vështirë dhe me kosto për televizionet që kanë licencë lokale.
Sipas AMA-s, gjatë procesit të dixhitalizimit është parashikuar edhe rritja e numrit të licencave kombëtare. Janë planifikuar të shtohen edhe dy rrjete të tjera kombëtare, pa përfshirë këtu dy rrjetet e operatorit publik shqiptar. Pra, do të kemi 5 operatorë kombëtarë privatë dhe 2 rrjete kombëtare do të jenë për operatorin publik.
Gjergji Memo, drejtor i Programacionit në Vizion Plus, thotë se ky
është një proces që e kanë kaluar të gjithë vendet e Europës. “Pikënisja ka qenë lirimi i një brezi frekuencash që do të përdoren për qëllime të tjera, që nuk lidhen me transmetimet televizive. Megjithëse numri i frekuencave është zvogëluar, teknologjia e re e përdorur bën të mundur mbartjen e operatorëve analogë ekzistues nëpër platformat dixhitale. Gjithsesi, ky proces e gjen teleshikuesin shqiptar të papërgatitur, sepse në ndryshim nga transmetimet analoge ku çdo gjë ishte pa pagesë, tashmë ai do të ketë një kosto shtesë që lidhet me blerjen e dekoderave. Në Europë, kjo gjë është sponsorizuar nga shteti, ndërkohë që shteti shqiptar nuk ka një strategji të përcaktuar qartë”, thotë z. Memo.
Ndërsa drejtuesja e Scan Tv, Elvana Hana, thotë se dixhitalizimi është një proces shumë avangardë, si për tregun mediatik, ashtu edhe për konsumatorët, të cilët janë praktikisht qytetarët. Sipas saj, procesi ka njohur njëfarë ngecjeje.
Në anën tjetër, procesi do të shoqërohet me kosto dhe televizionet pranojnë se janë investime në shuma të mëdha.
“Kostoja është disi e lartë, por është detyrim ligjor për të gjithë operatorët e tregut”, thotë znj. Hana.
Ndërsa drejtuesi i programacionit në Vizion Plus, z. Memo, thotë se kostoja mund të përballohet vetëm nga rrjetet që ofrojnë programe PPV.
Falë këtyre investimeve, drejtuesit e televizioneve lokale thonë se do të rritet ndjeshëm edhe cilësia: “Sigurisht që cilësia e transmetimit përmirësohet, mjaft të përmendim që shumë operatorë kanë filluar transmetimin në formatin HD”, thotë z. Memo.
Ndërsa, drejtuesja e Scan Tv thotë se televizioni mbetet i fokusuar më tepër te korrektësia e informacioneve, pasi ato janë dhe shumë specifike. “Një teknologji më e lartë dhe bashkëkohore e përcjell më mirë informacionin”, thotë znj. Hana.
Ajo beson se dixhitalizimi do të ndikojë për mirë, për të gjithë operatorët televizivë.
Ndërsa drejtuesi i programacionit në Vizion Plus thotë se për televizionet analoge lokale, kjo konkurrencë do të jetë më efortë për shkak se ato do të transmetojnë në të njëjtën platformë, së bashku me televizionet e mëdhenj dhe të konsoliduar.
Për pronarin e televizionit Amantia në Vlorë, Eduard Leli, për ato subjekte që janë të rregullt në përmbushjen e detyrimeve dhe janë të rregullt me pagesa ndaj shtetit ky proces do të ndikojë në rregullimin e tregut. Televizioni që ai drejton së fundmi ka rinovuar licencën e transmetimit për 7 vitet e ardhshme, ndërsa thotë se kanë marrë njoftimin se vitin e parë do të mund të transmetojnë në analog, por më pas duhet të kalojnë në dixhital.
Për drejtuesen e marketingut të Star Tv në Shkodër, Albana Kraja procesi i dixhitalizimit do të ndikojë te konkurrenca, duke nxitur përmirësimin e programacionit, si dhe një cilësi më të mirë të figurës dhe zërit. Kjo do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë dhe pozitiv te audienca e cila do të marrë shërbim më cilësor.
Tregu i reklamave, nuk priten ndryshime për TV lokale
Nuk ka një shifër të saktë sesa do të duhet të jetë i gjithë investimi për të kaluar nga transmetimet analoge në ato dixhitale, por sipas drejtuesve të AMA-s, si çdo teknologji e re, edhe kjo do të kërkojë investime.
Realizimi i këtyre investimeve, sipas tyre, do të garantojë më shumë të ardhura, që do të përftohen nga reklamat që mund të jenë më të shumta në numër.
Por, drejtuesit e televizioneve lokale duket se nuk janë shumë entuziastë në lidhje me ndryshimet që do të sjellë kalimi në transmetimet dixhitale.
Gjergji Memo i Vizion Plus, nuk mendon se tregu i reklamave do të ketë ndonjë ndikim të ndjeshëm. “Kjo varet shumë edhe nga strategjia e marketingut që ndjekin kompanitë.
Megjithëse zona e mbulimit do të rritet, për televizionet lokale ekzistuese nuk do të thotë që do të shoqërohet me rritjen e të ardhurave nga tregu reklamave”, thotë z. Memo.
Ndërsa drejtuesja e Scan Tv, Elvana Hana, shkon edhe më tej dhe thotë se tregu i reklamave nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me dixhitalizimin. “Ky treg lidhet më shumë me performancat e biznesit në Shqipëri dhe me pritshmëritë ekonomike për të ardhmen. Ndoshta tarifat më të lira mund të sjellin një rritje të tregut të reklamave, por kjo mund të ndikojë te cilësia, si dhe në mbushjen e tregut me informacione të panevojshme”, thotë znj. Hana.
Për pronarin e televizionit Amantia në Vlorë, Eduard Leli transmetimet dixhitale nuk pritet të sjellin ndonjë ndryshim në tregun e reklamave, që sipas tij po kalon vështirësi të mëdha. “Sot, po ofrohen reklama me çmime që nuk mbulojnë dot kostot, 10,000 lekë. Më këto shifra nuk mund të sigurosh investime, të paguash pagat apo kontributet shoqërore. Ndaj dhe nuk mund të flitet për një treg”, thotë ai.
Edhe drejtuesja e marketingut të Star Tv në Shkodër, Albana Kraja tregu i reklamave nuk pritet të pësojë ndryshime, sipas saj vitet e fundit kriza ka ndikuar ndjeshëm te të ardhurat që grumbullohen. Gjithnjë e më shumë, thotë ajo, biznesi zgjedh që të reklampjë me kosto të ulët siç janë mediat sociale që sigurojnë një ndikim më të shpejtë te konsumatori.
Çfarë do të ndodhë me “të vegjlit”
Sipas të dhënave të Institutit të Medias, Shqipëria ka një treg dinamik të medias vizive me dy televizione kombëtare, 64 televizione lokale analoge dhe 115 televizione lokale kabllorë, si dhe 3 platforma dixhitale: Digitalb, Tring dhe Supersport, natyrisht edhe një transmetues publik, siç është Radio Televizioni Shqiptar.
Sipas Strategjisë Kombëtare për Kalimin në Transmetime Numerike,
operatorët vendorë ekzistues, me pak përjashtime, nuk i disponojnë mjetet financiare dhe aftësitë teknike të nevojshme për të ndërtuar dhe për të mirëmbajtur rrjetet e transmetimeve numerike tokësore. Ata nuk janë të prirë të mbyllin me dëshirën e tyre
transmetimet analoge, pasi kërkojnë të nxjerrin përfitimin maksimal nga investimet për ndërtimin e rrjetit.
Nga ana tjetër, po bëhet kujdes që kalimi në transmetimet numerike të realizohet pa prishur strukturën ekzistuese të tregut mediatik që aktualisht funksionon si treg i programeve të transmetuara hapur (pa pagesë) dhe që financohet nga reklamat. Ruajtja e strukturës së tregut do të thotë që programet ekzistuese analoge, që do të mbështeten në platforma numerike, do të vazhdojnë të transmetohen hapur (pa pagesë) dhe do të vazhdojnë të financohen nga tregu i reklamave.
Duke u bazuar në Strategjinë për Kalimin në Transmetime Numerike, ka tre variante për operatorët lokalë:
1. Brenda variantit të parë, transmetuesit lokalë do të përdorin platformën e ngritur nga transmetuesi publik RTSH;
2. Variant tjetër është që operatorët lokalë të bashkohen dhe të aplikojnë për të ndërtuar një platformë të tyren, por 70% e operatorëve lokalë duhet të bien dakord me qëllim që të aplikojnë;
3. Nëse asnjë nga dy variantet e para nuk funksionon, rregullatori hap garën për ngritjen e një rrjeti që operatorët lokalë ta përdorin.
Strategjia përcakton këto tre opsione, por thekson se variante të tjera nuk përjashtohen.
Një variant tjetër për transmetuesit lokalë mund të jetë përdorimi i rrjeteve të ndërtuar nga operatorë të tjerë komercialë, që do të thotë ato ekzistuese dhe dyte televizionet kombëtare komerciale që kanë aplikuar për të marrë një licencë kombëtare për të ndërtuar një platformë.
Në këtë aspekt, një faktor kryesor do të jetë tarifa e
aplikuar për të përdorur rrjetin që transmetuesi publik po
ndërton. Sipas Strategjisë, tarifa e llogaritur në 2012 është
vlerësuar të jetë 2,885 euro në muaj për secilin operator
që do të përdorë rrjetin e transmetuesit publik. RTSH i qëndron kësaj tarife.
Kalimi i plotë në transmetime numerike, krahas ndërtimit të
Rrjeteve, parashikon edhe pajisjen e audiencës me marrës numerikë ose dekoder që bëjnë të mundur përdorimin e marrësve ekzistues analogë edhe për marrjen e sinjaleve numerikë.
Natyrisht, televizionet e prodhuara në vitet e fundit e kanë të trupëzuar këtë pajisje dhe nuk do të jetë e nevojshme blerja e një dekoderi.
Dekoderët që duhen planifikuar janë të sistemit MPEG 4, ndërkohë, në përdorim janë hedhur dekoderë MPEG 2 për marrjen e sinjaleve numerikë të operatorëve privatë ekzistues.
Vlerësohet që përqindja e familjeve në nevojë, që do të duhet të pajiset me një dekoder, është 7%. Çmimi i një dekoderi është supozuar në 30 euro. Dekoderat që do të subvencionohen do të jenë universalë dhe do të kenë karakteristikat bazë për të siguruar marrjen e sinjaleve standardë TV.
Procesi dixhitalizimit
Dixhitalizimi është një zhvillim i ri, i cili ka ardhur si pasojë e ndryshimeve të vrullshme të teknologjisë në fushën e medias, për shkak të kërkesës në rritje për përdorim sa më efektiv të spektrit të frekuencave. Procesi i dixhitalizimit është zhvilluar në të gjithë botën duke mbetur të pakta vendet që ende janë drejt përfundimit të këtij procesi, përfshirë dhe vendin tonë.
Ky proces administrohet nëpërmjet Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikimit, përgjegjës për çështjet që lidhen me teknologjinë e informacionit dhe komunikimit. Pikërisht ky organ ka iniciuar procesin e dixhitalizimit me marrëveshjen GE06 të vitit 2006, e cila u ratifikua nga Parlamenti Shqiptar në vitin 2007.
Vetëm në vitin 2012 u arrit hartimi i strategjisë së kalimit në transmetimet dixhitale, miratuar me VKM 292, datë 2.5.2012, që do të përcaktonte hapat për administrimin e procesit. Më tej, me miratimin e ligjit 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, u plotësua kuadri ligjor për procesin e dixhitalizimit.
Mbyllja e transmetimeve analoge konsiderohet si faza e parë dhe imediate e dixhitalizimit.
Për arritjen e tij, kërkohet zbatimi i tre komponentëve të mëposhtëm, secili me mision dhe karakteristika të ndryshme:
-Dixhitalizimi i rrjeteve analoge tokësore të transmetuesit publik
-Dixhitalizimi i rrjeteve analoge tokësore të operatorëve privatë kombëtarë
-Dixhitalizimi i rrjeteve analoge tokësore të operatorëve ekzistues lokalë.