Dojna Mema: Do të bëja gjithçka për veten time por asgjë për të shitur dhe rritur audiencën!

Ka ditur gjithmonë të ecë me hapa të vegjël por të sigurt. Ajo është padyshim një ndër emrat më të mirë të Top Media. Nuk lodhemi së thënuri, se Dojna ka një zë dhe pamje të ”ëmbël”. Është kënaqesi ta shohesh apo të dëgjosh këtë vajzë të talentuar teksa prezanton në radio apo televizion. Por Dojna nuk është e talentuar vetëm në prezantim, për më shumë ju ftojmë të lexoni intervistën e realizuar me të!

U bë kohë tashmë që punoni në media, mund të na tregoni si ka nisur ky rrugëtim?

Sapo kisha përfunduar Liceun Artistik “Jordan Misja” per piano kur nisa rrugëtimin tim në Top Albania Radio. Kam dëgjuar gjithmonë radio dhe ishte kurioziteti që më shtyu për të kërkuar një mundësi prove në TAR. Miqtë e mi shpesh më thonin se kisha një zë radiofonik dhe se flisja aq sa për të mbajtur emisione me orë të tëra (qesh). Pasi qendrova në provë për disa muaj, nisa të prezantoja disa rubrika në emisionin “Live From Tirana”, deri sa u krijua hapësira për të prezantuar një emision krejt timin. Nga aty në “Digitalb” rruga ishte e shkurtër, duke qenë se pas 6 muajsh që punoja në Top Albania Radio nisa paralelisht emisionin “My Music Chart”, në ekranin e “My Music”.

Puna në media ka qenë gjithmonë synimi juaj?

Jo, synimi im ishte të bëhesha pianiste por për mundësitë e pakta që Shqipëria ofron dhe për arsye të tjera personale u tërhoqa nga piano. Pasi përfundova gjimnazin mora një vit kohë për të reflektuar dhe për të njohur më mirë veten. Ai vit ishte vendimtar për mua, duke qenë se kuptova se çfarë nuk doja të bëja sikundër cilat ishin mundësitë e mia. Radio nisi si një aventurë e bukur që më pas u shndërrua në punën time.

Si është të punosh në Top Media?

Kudo të punosh, nëse të pëlqen vërtet puna që bën, atëherë ajo nuk është më punë por shtëpia jote e dytë. Pesë vite më parë, kur nisa në Top Albania Radio isha 19 vjeç dhe duke qenë puna ime e parë lidhja ime me Top Media është edhe më e fortë. Të punosh në Top Media është privilegj për këdo që ëndërron ekranin apo radion.

Të pelqen te jesh në qendër të vemendjes?

Nëse nuk do të më pëlqente nuk do të kisha zgjedhur të punoja në media. Qendra e vemendjes është shumë e dëshiruar, sidomos për një femër. Kjo shumëfishohet disa herë kur punon në media. Pa vëmendje një personazh mediatik nuk do të ishte i tillë. Media pa publik nuk do të ekzistonte.

Nëse do të duhej të zgjidhje mes radios dhe televizionit, cila do të ishte zgjedhja juaj?

Kjo është një pyetje që ma bëjnë shumë shpesh. Nuk do të zgjidhja, siç nuk kam zgjedhur. Fatmirësisht radio dhe televizioni janë plotësuese të njëra-tjetrës dhe bashkë ekzistojnë mjaft mirë. Unë kam mësuar dhe po mësoj shumë nga të dyja.

Prezantimi i “Top Fest 12” a mund te konsiderohet si eksperienca më e bukur televizive?

Eksperiencat që kam patur kanë qenë të gjitha më të bukurat në momentin kur kanë ndodhur. “Top Fest” ishte eksperienca më e bukur për momentin kur ndodhi dhe sigurisht profesionalisht më e rendësishmja. Ishte hera e parë që unë debutoja në Top Channel dhe në festivalin më të rendësishëm të muzikës shqiptare që po atë vit mbyllte një kapitull. Ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme që unë e kujtoj me shumë dëshirë.

Përveç medias me çfarë është e angazhuar Dojna aktualisht?

Aktualisht jam duket punuar për realizimin e një filmi të shkurtër. Këtë vit diplomohem në degën e Regji Filmi dhe Televizion pranë “Universitetit të Arteve”, kështu që kjo është vërtetë një periudhë mjaft e ngarkuar për mua.

Asnjëherë pjesë e skandaleve apo komercalitetit, duke ditur se kjo gjë shet në ditët e sotme, pse keni zgjedhur të mos përfshiheni në këto ujëra?

Nuk është se unë kam zgjedhur të mos përfshihem, thjesht dua që gjithcka të rrjedhë sa më natyrshëm, pa artifice. Asnjëherë nuk mundohem të ndryshoj për asgjë në botë sepse të ndihem unë mirë është më e rendësishme se çdo gjë tjetër. Do të bëja gjithçka për veten time por asgjë për të shitur apo për shikueshmëri. Gjithmonë kam dashur dhe përpiqem të edukoj publikun me të thjeshtën, me imperfeksionet, me natyrshmërinë dhe gjithçka që vjen nga individualiteti dhe jo “klishetë” perfekte televizive.

Mesazhi që do të donit të jepnit ndaj lexuesëve të IMA dhe ndjekësve tuaj?

Qendroni kreativë, mendjehapur dhe mbi të gjitha dëgjoni muzikë të mirë!


EKSKLUZIVE E InfoMedia Albania | Intervistoi R. Sharka

KOMENTO