“Ka një mesazh për Ty”, është ky titulli i një prej rubrikave më të reja që ka nisur sot në emisionin e parë të sezonit të ri të E Diela Shqiptare. Dhe sikur të mos ndodhte ndryshe, edhe këtë herë autorët e programit kanë rënë pre e kopjes televizive duke na ofruar Copy | Paste e radhës.
Nuk është hera e parë që E Diela Shqiptare sjellë në ekranin shqiptar një format të frymëzuar ose identik me ato të televizionit italian. Titulli i rubrikës së re “Ka një mesazh për ty”, padyshim është mjaft i njohur për teleshikuesin shqiptar të programeve italiane. E kemi fjalën për programin e zonjës së ekranit italian Maria de Filippi, “C’é Posta Per Te”, format i cili prej 15 vitesh me 18 edicione, vazhdon të mbaj të mbërthyer përpara ekranit të Canale 5 miliona telespektatorë italian por edhe shqiptar, që vazhdojnë t’i qëndrojnë besnik programeve që ofrojnë kanalet Mediaset.
Autorët e E diela Shqiptare përveç titullit kanë kopjuar edhe përmbajtjen që formati origjinal italian ka si mision të tij, ribashkimin e një çifti, zgjidhjen e një konflikti familjar apo edhe përcjelljen e një mesazhi apo surpriza për personat më të dashur.