Taulanti 4 vjeçar fëmija i vetëm i një familje intelektuale nuk mund ta durojë më vetminë. Ai kërkon një motër. Por sa më shumë ngulmon Taulanti aq më shumë e neglizhojnë prindërit këtë kërkesë. Me ngadalë dëshira e Taulantit u pëlqen prindërve të cilët e kuptojnë se duhet ta shohin dëshirën e tij më me seriozitet dhe vëmendje.
Ka të njëjtat tipare, të njëjtën qeshje, sy, por nuk është Taulanti por Donaldi. Nuk mban të veshura paliçeta të verdha po këmishë e xhinse. Kush është më shumë se 20 vjeç nuk mund të mos e kujtojë personazhin e filmit “Taulanti kërkon një motër”. Ai quhet Donald Kokona, sot arkitekt. Katër vjeç e gjysmë u përzgjodh nga regjisorja Xhanfize Keko për të qenë pjesë e atij filmi për fëmijë.
Dy ishin karakteristikat bazë që kërkonte Keko: flokët si “tas” dhe të ishte brunë. Flokë “tas” dhe brunë në atë kohë mund të gjeje shumë, por një aktor të vogël që të kishte atë kiminë që i duhej filmit…vështirë!. Të gjithë janë “dashuruar” në atë periudhë me pamjen dhe mënyrën e tij të të folurit aq sa, sot vazhdojnë ta thërrasin Taulant, gjë që nuk i pëlqen dhe aq. I duket sikur “Taulanti” i ka vjedhur një pjesë të identitetit.
Donaldi kujton me nostalgji momentet e xhirimeve, tekat prej fëmije, edhe pse në ato momente nuk e kuptonte se po bëhej pjesë e një filmi dhe se do ishte fëmija “Vip” i kohës. “Kam qenë i llastuar e kam jetuar një fëmijëri të lumtur”, thotë. Për të, ato janë vite që nuk përsëriten Donaldi, sot na tregon për Taulantin dhe për veten. /SHQIPERIAIME
Marre nga Mapo