Që mediat në Shqipëri kanë problemet e tyre, ky nuk është më një lajm i ri. Shumë punonjësve u jepen pagat gjysmat në “dorë” dhe gjysmat në bankë. Kjo bëhet për të shmangur tatimet, që do të thotë se sa më e vogël të jetë paga e deklaruar aq më pak paguan punëdhënësi.
Por ka edhe nga ato media, që problemet i kanë më të mëdha. Vizion Plus televizion kombëtar në Shqipëri, prej tre muajsh nuk u ka dhënë pagat punonjësve të tij. Gazetarët janë të detyruar të vijojnë punën, duke bërë raportime dhe kronika, edhe pse në llogaritë e tyre bankare nuk ka kaluar asnjë lekë.
Edhe pse bëhen zëri i qytetarëve për problemet që ata hasin, në këtë rast gazetarët duken ‘të frikësuar’ për të ngritur zërin për shqetësimin e tyre. Kjo, pasi kërcënimi është i hapur: nëse flisni largoheni nga puna. Por Express, ka mësuar përmes një denoncimi të mbërritur në redaksi, se situata në Vizion Plus, nuk është ashtu siç paraqitet në “ekran”.
Prej rreth tre muajsh, punonjësit e këtij televizioni nuk paguhen, ndërsa pronarët – siç thotë denoncimi – vijojnë të marrin dhjetëra tenderë nga qeveria Rama. Në një realitet shqiptar, që dihet se fundi i muajit është i shumëpritur për të shlyer detyrimet mujore ndaj shtetit, (ujë, drita, etj), punonjësve të Vizion Plus, u duhet të presin që pronarët e televizionit të ‘kujtohen’ se kanë detyrimet e tyre për të shlyer ndaj gazetarëve.
“Askush nuk shqetësohet për të gjitha këto familje që po shkatërrohen. Kemi kredi, fëmijë për të rritur e detyrime familjare”, – thuhet në denoncimin e një grupi gazetarët, që ashtu siç ata dëshirojnë, Express po i ruan anonimatin. “Ju lutem anonim, pasi na rrezikohet vendi i punës”.
Ashtu sikundër nuk ndodh vetëm në një televizion, edhe në Vizion Plus – thonë ata – “punonjësit paguhen me rroga qesharake te deklaruar ne shtet”.
Marrë nga Gazeta Express