Gazetarja Beti Njuma vlerësohet si përkthyesja më e mirë

Gazetarja e njohur e Top Channel, Beti Njuma është vlerësuar për përkthimin më të mirë për librin “Dashuri dhe pushtet” të Bruno Vespës. Çmimi iu dorëzua në Panairin e Librit në Fier nga juria e këtij eventi, profesorët Nasho Jorgaqi dhe Ali Aliu.

Krahas punës së saj si një prej folëseve kryesore të lajmeve në Top Channel, Beti Njuma prej disa vitesh drejton Rubrikën e Librit ku çdo fundjavë, sjell për shikuesit botimet më të reja dhe intervista me figura të njohura të letërsisë shqiptare dhe ndërkombëtare. Kohët e fundit, gazetarja e njohur iu kushtua edhe përkthimeve, duke sjellë në shqip nga italishtja librin e Alfonso Signorinit “Marylin Monroe: Të jetosh e të vdesësh për dashurinë” apo rrëfimin best-seller të këngëtarit Tiziano Ferro “30 vjeç dhe një bisedë me babain.”

Krahas librit, Beti Njuma është angazhuar me shumë sukses edhe në fushën e dokumentareve. Në emisionin “Exlusive” në Top Channel, si edhe në Digitalb, ajo ka realizuar një sërë dokumentarësh historikë dhe socialë, duke zbardhur fakte interesante të parrëfyera më parë në ekran mbi shpalljen e Pavarësisë apo figurën e diktatorit Enver Hoxha, ose duke sjellë biografi të detajuara të figurave të njohura të artit dhe kulturës, siç ishte edhe dokumentari mbi shkrimtarin Teodor Keko.

Aktualisht, nëna e binjakëve, po përfundon doktoraturën pranë Fakultetit të Gjuhës – Letërsisë.

Burimi | Gazeta Tema

loading...

KOMENTO