Gazetarja e TVSH kërkon 130 milion lekë nga Martin Leka
Tri javë më parë, në ditët e nisjes së Botërorit në Televizionin Publik Shqiptar plasi një debat që u bë më shumë publik se sa vetë ky institucion. Gazetarja e njohur e këtij televizioni, Enkeleda Zeko, e cila njihet për moderimin që u ka bërë emisioneve sportive në TVSH, ato ditë pati një përplasje me drejtorin e komanduar, Martin Leka. Në një editorial të gjatë në media, ajo ka akuzuar drejtuesit e këtij institucioni se po e shkatërrojnë transmetuesin e vetëm publik në vend. Zeko ka qenë e programuar për të qenë drejtuese e emisionit sportiv për Botërorin, por në momentin e fundit
është vendosur të zëvendësohet nga moderatorë të tjerë. Ky shkrim i gjatë duket se ka ngjallur dhe një reagim të ashpër të drejtuesit Leka, i cili ka shkruar një status në Facebook mjaft të ashpër. “Nuk merrem me kurva të sponsorizuara (nga kurvat). Kaq është reagimi im për sot”, shkruan Leka në FB. Ky status ka qëndruar fare pak në profilin e zotit Leka, pasi ai ka vendosur ta fshijë. Gjuhë drejtorësh kjo! Por nuk mbaron me kaq. “Dita” ka mësuar se gazetarja Zeko ka ngritur një padi penale ndaj drejtorit Leka, të cilin e akuzon për fyerje dhe denigrim të figurës së saj morale e publike. Ndaj, ajo këto ditë është angazhuar duke marrë një avokat, i cili është marrë me çështjen e saj. Ne kontaktuam me avokatin e çështjes, Tonin Prendi dhe mësuam se, Zeko do të ngrejë dy padi, njëra është penale që sapo është hapur, në të cilën kërkohet, ndjekja penale e z. Martin Leka dhe dënimi i tij me gjobë 30 milion lekë të vjetra. Në të përfshihet dhe një kusht tjetër, që z. Leka në përfundim të gjyqit, vendimin që do të zbardh gjykata ta publikoi me pagesë në gazetën “Dita” dhe “Panorama”. Padia tjetër, që sipas avokatit do të hapet sapo të nisi procesi gjyqësorë i padisë së parë, është civile. Objekti i saj është fyerje dhe në të kërkohet dëmshpërblimi i gazetares Zeko me 100 milion lekë. Pwr informacione tw tjera, avokati u tregua me i rezervuar.