Festivali më i madh në rajon dhe më i famshëm në botë i filmit për fëmijë dhe të rinj të moshës 13-18 vjeç nisi rrugëtimin e tij të përvitshëm , duke rikthyer atë që tashmë ka marrë formën e një tradite në qytetin e Tiranës.Mbrëmja e 9 nëntorit i hapi siparin Giffoni Film Festival Albania [GFF Albania], gjatë një ceremonie ku pjesmarrës ishin miq dhe dashamirës të tij, artistë dhe politikanë, dhe sigurisht, fëmijët të cilët prej tashmë një dekade i japin jetë dhe ngjyra këtij evenimenti. Namik Ajazi, drejtuesi i GFF Albania tregoi gjatë ceremonisë synimin e këtij viti, i cili vjen nën sloganin “Destination Albania”dhe që përkon me rrugëtimin që festivali merr natyrshëm gjatë vitit, duke udhëtuar në pjesën më të madhe të botës, në edicione të tjera të Giffoni Film Festival. “Programi i këtij viti do shfaqë 10 filmat më të mirë të përzgjedhur nga vetë fëmijët pjesmarrës gjatë këtyre edicioneve, për të sjellë më të mirin e më të mirëve, për të kurorëzuar kështu një dekadë të suksesshme në bashkëbisedim, shkëmbim kulturor dhe edukimin me kulturën e filmit.”- u shpreh Ajazi.
Pjesmarrese ishte dhe Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, e cila ripërforcoi mbështetjen e saj ndaj këtij festivali dhe gjithë eventeve të tjera të pavarura, në një fjalim jashtë protokollit, ku dhe e cilësoi Giffoni Film Festival si një shkollë për të edukuar spektatorët e së ardhmes. Fjalë këto të cilat u mbështetën edhe nga Ministrja e Arsimit Nora Malaj e cila e vlerësoi GFF Albania si një festë ku fëmijët nuk janë thjesht objekt, por janë mbi të gjitha subjekt parësor në realizim. Claudio Gubitosi, krijuesi i Giffoni Film Festival u shpreh shumë mirënjohës ndaj Shqipërisë, mikpritjes që ajo i ka bërë jo thjesht festialit, por vetë atij, duke rrëfyer që edhe në ditët e pushimit, ai vjen të vizitojë vendin fqinj ku ndihet vërtetë në shtëpi. Përsa i përket Giffoni, Gubitosi theksoi që GFF Albania nuk ka qenë thjesht huazim i një formati, por i një shpirti që GFF zotëron dhe është transmetuar më së miri në Shqipëri përgjatë këtyre viteve. “Por, tani ka ardhur momenti ta shkatërrojmë Giffoni-n. Gjithçka keni parë këto vite harrojeni, pasi viti i ardhshëm do vijë më ide, formë dhe stratëgji tërësisht të re dhe inovatore” – deklaroi Gubitosi.
Përgjatë 10 viteve, Giffoni Film Festival Albania ka shënuar një numër rekord prej rreth 30.000 fëmijësh dhe të rinjsh pjesmarrës, një numër i konsiderueshëm prej të cilëve në secilin edicion kanë fituar`mundësinë të marrin pjesë në edicionet e tjera të Giffoni Film Festival që zhvillohen në botë, duke vazhduar misionin prej tashmë 40 vitesh të këtij festivali me përmasa globale për të edukuar një brez të tërë përmes artit dhe ndërveprimit kulturor. Në Giffoni Film Festival, fëmijët janë ata që shohin filmat, i diskutojnë ato duke u përballur me një panel profesionistësh dhe me bashkëmoshatarët e tyre, dhe njëkohësisht janë vetë ata të cilët zgjedhin fimat më të mirë të shfaqur. Përgjatë viteve, Giffoni ka ardhur në forma të ndryshme, duke qenë herë pas here një kinema shtëtitëse, për shkuar tek fëmijët e shumë qyteteve të Shqipërisë [Durrës, Elbasan, Korçë, Shkodër por edhe Sarandë].
Mbyllja e GFF Albania është një tjetër event i cili ka sjellë emra shumë të njohur të artit si Giulio Berruti, Zero Assoluto, Giancarlo Giannini apo Paolo Conticini.Fëmijët pjesmarrës fitojnë mundësinë të udhëtojnë drejt Giffoni Film Festival Italia, aty ku gjithçka nisi tashmë 40 vite më parë, ku përgjatë edicioneve të ftuar kanë qenë artistë si Jennifer Aniston, Richard Gere, Nicholas Cage, Mira Sorvino apo Maryl Streep.