Tashmë është zyrtare, Genc Salihu do të jetë trajneri më i ri i The Voice of Albania 4. Info Media Albania ju sjellë ekskluzivisht intervistën e parë me Genc Salihun për të mësuar më shume rreth tij dhe aventurës së re në The Voice.

Ju do të jeni njëri prej trajnerëve që do t’i bashkohet rishtas ekipit të The Voice of Albania. Si e pritët këtë ftesë?

Përzgjedhja ime si trajner në The Voice of Albania është nder, dhe e konsideroj të jetë një vlerësim që i bëhet punës sime ndër vite. Një nder i tillë nuk refuzohet. Pastaj – e kam thënë edhe më herët – The Voice of Albania është platforma kryesore, për të mos thënë e vetme, mbarëshqiptare që ua mundëson këngëtareve dhe këngëtarëve të rinj të sprovohen dhe afirmohen para një publiku të gjërë, dhe kjo gjë është shumë me vlerë, sidomos në mungesë të një industrie të mirëfillët muzikore. E pranova, pra, edhe për shkakun se ishte shans për të qenë në mes të zhvillimeve, dhe në një menyrë shumë dinjitoze.

Në çfarë aktiviteti muzikor jeni në këto kohë, edhe me grupin Cute Babulja që po e pushton çdo ditë e më shumë tregun muzikor? A do jeni i detyruar të lini disi mënjanë ndonjë angazhim apo punë krijuese për shkak të angazhimit në The Voice of Albania?
Me grupin Cute Babulja jemi në mes të kompozimit dhe realizimit të albumit të ri, dhe projekti i fundit ishte kënga dhe videoklipi me titull ‘’Lule” që do të jetë pjesë e albumit. Me siguri se angazhimi im në The Voice do t’ia hajë pak kohën projektit tonë, por jo aq sa ta mbysë. Krijimi dhe publikimi i muzikës së re për mua dhe kolegët e grupit është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe koha për të gjindet çdo herë. Për fat, si po duken gjërat, nuk do të kemi konflikt kohor.

A ja vlen që të lihen ca projekte muzikore mënjanë për The Voice of Albania, e nëse po pse?
E them prapë se The Voice ka luajtur një rol tepër konstruktiv në skenën mbarëshqiptare, ndoshta më shumë se kudo tjetër, pasi që tek ne industria muzikore është e mangët dhe e egër, dhe artistët nuk kanë shumë kanale depërtimi. Gjithësesi që mundësia të kontribohet drejtpërsëdrejti në avancimin e skenës muzikore ia vlen një sakrificë. Pastaj, të jesh para aq shumë njerëzve është ndienjë e jashtëzakonshme.

Çfarë mendoni se do të sillni ju si artist e si trajner në edicionin e këtij viti?
Mendoj se do të jem aty për ata vokalistë të rinj që janë të etur për aventurë, udhëtim nëpër zhanre e kohëra, zgjerim të kufijve. Më intereson kur profesionalizmi dhe qasja alternative dhe e guximshme ndaj sfidave artistike ecin bashkë, dhe këtë do të mundohem ta facilitoj. Të them të drejtën, jam i bindur se edhe vetë do të mësoj shumë nga kjo përvojë, dhe kjo më entuziazmon tej mase.

A keni një mesazh për konkurentët që kanë aplikuar apo dhe për ata që ende s’kanë marrë guximin për të ardhur e për ta provuar këtë sfidë?
Mesazhi im për konkurrentët: Mos hezitoni ta merrni fatin tuaj në dorë dhe ta sfidoni vetveten. Lufta për të arritur dhe për të mësuar është, para së gjithash, një lojë fantastike që sjell adrenalinë si asgjë tjetër.

Ekskluzive Info Media Albania

loading...

KOMENTO