Pas 17 vitesh me të njëjtën mënyrë votimi, edicioni i 18-të i Këngës Magjike ka nisur sot me një formulë të re. Producenti Ardit Gjebrea, së bashku me stafin organizues, nisur edhe nga pakënaqësitë e ҫdo viti dhe hatërmbetjet për sa i përket mënyrës së votimit, kanë menduar që këtë vit formula të ndryshojë krejtësisht.
Artistët pjesëmarrës do të prezantohen në dy kategori: e para është ajo e këngëtarëve që kualifikohen direkt. Bëhet fjalë për këngëtarë profesionistë të cilët kanë qenë pjesëmarrës në festivale: Kënga Magjike, Top Fest apo Festivali i RTSH-së. Grupi i dytë i artistëve është ai i artistëve të rinj, të cilët do të gjykohen nga një juri profesionistësh. Juliana Pasha, Olti Curri, Venera Lumani, Sardi Shehu dhe Ulis Krajka do gjykojnë nëse këngëtrët e rinj, që prezantohen për herë të parë në Këngën Magjike, do të kalojnë fazën e parë ose jo.
Ҫdo të diel, 5 anëtarët e jurisë do të jenë të pranishëm për të gjykuar fazën e dytë kualifikuese.