Me hashtag-un #icebucketchallenge, shtohen me ritme eksponenciale videot e personave të njohur e të panjohur që pasi hedhin në kokë ujin me akull, sfidojnë të tjerë të bëjnë të njëjtën gjë. E bën Mark Zuckerberg që sfidon Bill Gates, e bën Shakira që sfidon Papën, e bën Renzi që sfidon Baggion e kështu me milionë të tjerë.

Gjesti ka të bëjë me një kauzë fisnike, është një sfidë në mështetje e ALS Association, organizatë amerikane jo fitimprurëse që lufton sklerozën laterale amiotrofike (SLA) që godet të rinj, veçanërisht sportistë. Sfida ka vetëm një rregull relativisht të lehtë: ose paguaj të paktën 100 dollarë në llogari të ALS Association, ose hidh një kovë ujë me akull në kokë. Personat e sipërpërmendur urojmë të kenë bërë jo vetëm videon por edhe të kenë ofruar edhe kontributin e tyre në para.

“Virusi” arrin në Shqipëri e tani edhe videot e VIP-ave tanë po mbushin rrjetet sociale.

Ndër të gjithë spikat ajo e Kledi Kadiut. Gjithnjë aktiv në mbrojtje të çështjeve sociale, siambasador i UNICEF-it apo si testimonial i AISM, shoqata italiane për luftën kundër sklerozës së shumëfishtë, Kledi nuk u tërhoq as këtë radhë e bën edhe ai videon e tij në mbështetje të luftës kundër SLA. Krejt të veçantë nga ato të deritanishmet. Kledi ka vendosur të japë ndihmë konkrete për SLA, jo shfaqjen e radhës. “Nëse prisni që të hedh ujin e ngrirë në kokë, kjo nuk do të ndodhë. Do të bëj diçka me më shumë vlerë konkrete” thotë në video e sfidon të gjithë të veprojnë si ai e jo të përfitojnë nga kauza e mirë për t’u vënë në dukje për pak minuta.

Burimi | Shqiptari i Italisë

loading...

KOMENTO