Kolona zanore, “La La Land” hidhet në gjyq nga “Threedots”

Vazhdon të jetë e fortë jehona e filmit-muzikal aq shumë të pëlqyer  “La La Land”, i cili së fundmi ka marrë plot 14 nominime për çmimet “Oscar”.

Ama, ditët e fundit në mediat e shkruara qarkullon lajmi se kolona zanore e këtij filmi ngjason me këngën “Me fjalë të vogla” të kantautorit Flori Mumajesi.

“Zëra” këta që konfirmohen nga vetë Flori nëpërmjet një postimi në Instagram ditën e sotme, i cili edhe vetë ndihet disi i habitur nga ky fakt dhe shprehet i emocionuar nga notat që krijuan atë melodi të vogël, “burim shpirtëror”, siç e quan vetë.

Për këtë arsye, Blitz.al ka kontaktuar me studion e “Threedots Production” për të kuptuar nëse do të ketë ndonjë lëvizje nga ana e tyre kundrejt kompozitorit Justin Hurwitz dhe produksionit të filmit “La La Land”, për melodinë “e huazuar”.

Nga “Threedots” shprehen se është e vërtetë që kanë konstatuar ngjashmëri shumë të madhe në melodinë e kolonës zanore të filmit më të përfolur për momentin e për këtë arsye kanë nisur procedurat ligjore për të mbrojtur të drejtat e autorit.

Kujtojmë se një histori e ngjashme me këtë u përfol edhe pak muaj më parë, kur u konstatua se kënga “Six fit under” (e cila u bllokua më pas) e këngëtarit The Weeknd ishte një kopje e këngës “Nallane” të Florit dhe DJ Vicky-t.