Me sebepin e të satës përsëritje të krimeve të regjimit enverist në konsumin tonë mediatik, u dha një shqyrtim në një panel emisioni (jo ndër tekste mësimore) i çështjes së poetëve Blloshmi & Leka. Drejtori i ISKPK, Agron Tufa, përtej trajtimit të çështjes – gjë për të cilën kishte kërkuar me të drejtë një përballje me autoren e shkrimit që ndikoi bindshëm për t’i shpënë para togës së pushkatimit – dha këto ditë të para të marsit mendimin e ndalimit të filmave të kohës së regjimit.
Ky qëndrim u pasua nga të tjerë, në të njëjtën linjë, me pathos më shumë se me logos. Kjo ngjarje paraqet një gjendje njëherazi me një nevojë tonën, nevojë kjo që shkrimtari dhe përkthyesi Shpëtim Kelmendi e farkëton shpesh në togfjalëshin “polici estetike” për tallavanë e fast food-in estetik që gëlon.
E para ndjesi që na dha ky qëndrim ishte një shtangie: po mëtohej një masë censuriale ndaj produktit artistik (me shtresëzime të ndryshme propagandistike) të një periudhe që gjente tek censura njërin ndër kryemjetet e veta.
Censurë kjo që po mëtojnë tanimë t’ia aplikojnë 45 viteve të historisë së kinemasë shqiptare e cila nuk pyet për mundin me të cilin është bërë ai produkt, ndonëse i financuar me qëllime propagandistike, por që nxorri në pah aktorë, regjisorë, kompozitorë të cilët niseshin jashtë Shqipërisë për t’u mbrujtur me edukatën në fushat përkatëse.
Shfaqja e filmave të regjimit përbën një lloj dokumentimi, duke pasur vlerën e tyre në historikun e kinematografisë shqiptare qofshin edhe të dobët nga ana teknike, përmbajtësore apo të formës – dokumentim që ka në themel lirinë në të cilën gjallojmë. Liri kjo e transmetimit e cila duhet mbikëqyrë nga njerëz me tagër që ta kontekstualizojnë atë produkt në nivele të ndryshme të lëmive që trajton: kinematografi, histori, psikologji, antropologji, sociologji, gjuhësi (sociolinguistikë!) dhe religjion. Një ekip i tillë specialistësh mund t’i bëjnë didaskali orientuese, të paanshme, filmave të ndryshëm ku me një shoshitje dallimbërëse të klasifikohen grupi i shikueshmërisë që rekomandohet t’i shohë; përtej fushatës që kemi në prag Përpos didaskalimit, filmat të restaurohen dhe të shfaqen në kinema si pjesë e ndonjë programi për njohjen e historisë së kinematografisë shqiptare, e pse jo kjo gjë mund t’i shërbejë Institutit të cilit z. Tufa është drejtor. Kur mbi propagandën hidhet dritë atëherë edhe fuqia e saj dobësohet. E gjithë ajo propagandë nëse ruhet dhe analizohet mirë nuk mund të jetë dëmsjellëse për shoqërinë, përkundrazi, mund të përmjetësohet në instruksion të gjerësishëm për të gjitha fushat që janë ngërthyer në atë produkt filmik. Do të bëhej një ndihmës për shikim të përbrendshëm (insightful) për breznitë që nuk e kanë jetuar regjimin.
Mandej përpos shqetësimit mbi propagandën komuniste në filmat shqiptare, vëmendja duhet të drejtohet edhe kah propagandat e tjera ideologjike të epokës ‘moderne’, qofshin këta produkte vendore apo të importuara. Jo vetëm filmi, por edhe mediume të tjera më të hershme hapësira e të cilëve është funksionalizuar për kanalizimin e veprave artistike, sot bartin vlerën e njëjtë (metafizike) me konsumin e një shishe coca-cola duke i ngarkuar shqisat e njeriut deri në obezitet dhe duke i zhveshur çdo ndjeshmëri ndaj të vërtetës dhe të bukures.
VOTO EDHE: A duhet ndaluar transmetimi i filmave të komunizmit në ekran?
Dokumentari “Forbidden Films” i Felix Moeller dalur para tre vjetëve do të shërbente në qasjen që duhet marrë me çka ishte nën hyqmin e propagandës së djeshme, por jo duke qenë vetëm propagandë si e tillë. Pa harruar këtu se dokumentari i përmendur trajton kinematografinë e regjimit nazist, por ajo që i çmojmë është qasja në servirjen e atij produkti filmik, qasje e cila duhet përkthyer në kontekstin tonë specifik pa shëmbëlltyra shabllone.
Në rastin tonë droja e propagandizimit është pak besëtytje tutëse dhe vetëm sa ia rrit nderën një produkti që nuk mund të ketë të njëjtin ndikim me të kohës kur janë shfaqur me atë nijet. Por dëmi dhe kundërvënia më e madhe duket se po i ndodh atyre njerëzve që i bënë ata filma, njerëz si i rralli Gëzim Erebara që më 2004 ka kërkuar edhe ndjesë publike për propagandën e përcjellur.
Për të perifrazuar largazi një urtar anglez me këtë kontekst, evokimi i censurës a ndalimeve në këtë temë vetëm sa e bën harresën aktive – në vend që të përpiqen ta bëjnë kujtesën të tillë, duke qenë se si kujtesa ashtu edhe harresa kanë ngelur pasive dhe vetëm në shërbim të axhendave të momentit. Dënimi i vërtetë i tiranëve duhet bërë duke shkatërruar fronin e tyre që mbajmë brenda vetes, shkruan Gibran. Duhet bërë ndër tekste mësimore të historisë, letërsisë, kritikës së artit; me fushata ndërgjegjësuese, mundësisht pa patetizëm dhe mediokritet.