Orinda Huta prezantuesja e Miss Shqipëria 2014

Kanë kaluar kufirin dje (të premten) mbasdite 31 vajzat konkurrente për kurorën e “Miss Shqipëria 2014″. Pas një turi që zgjati pothuaj dy javë nëpër zonat turistike në Shqipëri, destinacioni ka qenë Mali i Zi, i cili ka mirëpritur bukuroshet për turin e radhës atje, por edhe për finalen e madhe që do të mbahet në Kalanë e Ulqinit, të premten e 27 qershorit.

Si çdo herë, edhe këtë vit garojnë 31 vajza të përzgjedhura ditët e fundit të majit nga organizatorët e eventit, një përzgjedhje e kryer ndër 240 kandidatura të paraqitura për spektaklin e këtij viti. Këtë vit nata finale organizohet në Kalanë e Ulqinit. Grupi organizator i “Deliart Association”, i ndihmuar nga proceduara të lehtësuara të doganës shqiptare, është drejt përfundimit të skenës gjigande të ideuar aty. Mbrëmjen e së premtes, nën prezantimin e bukuroshes Orinda Huta, do të shpallet një tjetër mbretëreshë e bukurisë shqiptare. Gjithashtu janë menduar të gjitha detajet e një spektakli që pritet të ketë një formë të re sa i takon prezantimit dhe detajeve të tjera të spektaklit, që shoqëron gjithmonë garën e bukurisë. Do të jenë në skenën e “Miss Shqipëria” sivjet artistë të kalibrit të Irma Libohovës, Elton Dedës, Redon Makashit, Aleksandër Gjokës, Mihrije Brahës etj., ndërkohë që edhe vetë prezantuesja, e njohur në fillimet e veta si këngëtare, Orinda Huta, do të interpretojë një kompozim interesant. Ndërkohë, Florenza Lekstakaj, “Miss Shqipëria 2013″, e cila ka qenë gjithashtu pjesë e turit të këtij viti, mbrëmjen e 27 qershorit do t’i dorëzojë kurorën një tjetër mbretëreshe të bukurisë, e cila do të përzgjidhet nga juria e përbërë nga Virgjil Kule, Kledi Kadiu, Holta Dulaku, Ylljet Aliçka, Amarda Toska, Arlinda Dudaj, Florenza Lekstakaj.

KOMENTO