Spoti i PD për protestën e 18 Shkurtit, reagon AMA

Spoti promocional për pjesëmarrje në protestën e 18 Shkurtit që do të organizohet nga Partia Demokratike, është në kundërshim me aktet ligjore të mediave audiovizive sipas AMA. Më poshtë deklarata e plotë si vijon.

Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, në procesin e monitorimit të përmbajtjeve të transmetuara nga subjektet audiovizive ka evidentuar se në datën 15 shkurt 2017 është emetuar një reklamë politike. Reklama është përgatitur nga Partia Demokratike e Shqipërisë mbi një aktivitet politik që ajo zhvillon në datën 18 shkurt 2017 në kryeqytet.

AMA kujton të gjithë subjektet audiovizive se bazuar në ligjin nr. 97/2013 “Mbi mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, nuk lejohet të emetohen reklama politike. Referuar përcaktimeve të nenit 39 dhe nenit 41, pika 2, transmetimet e këtyre reklamave janë të ndaluara. Përmbajtje të tilla lejohen vetëm në periudhën e zhvillimit të fushatave elektorale, bazuar në Kodin Zgjedhor të Republikës.

AMA tërheq vëmendjen për subjektet audiovizive që të respektojnë kërkesat e ligjit 97/2013, për reklamat dhe komunikimet tregtare gjatë transmetimit të programeve për audiencën.