“Summer Fest” ndez Prishtinën

“Summer Fest”, spektakli më i madh veror, për herë të parë udhëtoi në Prishtinë. Nën prezantimin e Ledion Liços dhe Luana Vjollcës, interpretimet e jashtëzakonshme të rock grupit Troja, Adelina Ismajlit, Gent Bushpepës, Florent Abrashit, Ana Kabashit, humoristëve të trupës së “Portokalli”-së, balerinëve të trupës së “Top Channel” e artistëve të cirkut ndezën sheshin “Ibrahim Rugova” para qindra të rinjëve kosovarë. 


Summer Fest kulmoi me rikthimin në skenë të këngëtares së njohur prishtinase, Adelina Ismaili me interpretime të këngëve hit të saj si “Sajzeza” në bashkëpunim me Gent Bushpepën dhe këngën kushtuar Skënderbeut.

Për artistët pjesëmarrës, bashkimi i artistëve nga të gjitha trevat shqiptare, për c’ka edhe njihet “Summer Fest” jo vetëm është i rëndësishëm, por e plotëson imazhin kulturor mbarëshqiptar.

Bujar Berisha, grupi Troja: Bashkimin kombëtar që e përmendin kjo është rruga dhe mënyra me të cilën bëhet. Ka kohë që nuk jemi bashkë, jemi zhvilluar ndryshe dhe mendoj që kemi nevojë të komunikojmë me njëri-tjetrin dhe kultura është mjeti i duhur.

Gent Bushpepa, këngëtar: Nëse territoret dhe kufijtë janë hapur për fat të mirë, shpresojmë që edhe nga ana artistike rruga të jetë sa më e shkurtër dhe për artin.

Adelina Ismaili, këngëtare: Jam shumë e lumtur sonte sepse në një eveniment të tillë i Digitalb dhe Top Channel që mundëson bashkimin e shqiptarëve.

“Summer Fest” solli në Prishtinë për herë të parë edhe interpretime live me aktorë që publiku kosovar i ka parë çdo të dielë mbrëma nëpërmjet ekranit në Portokalli.

Romir Zalla, aktor Portokalli: Bashkëpunime të tilla janë jashtëzakonisht të nevojshme. E them me bindje duke patur parasysh profesionin tim në fushën e teatrit dhe kinematografisë

Erdid Asllani, aktor Portokalli: Padyshim që të tilla aktivitete kulturore na bëjnë më të bashkuar dhe mbajnë gjallë kulturën dhe traditën tonë.

Rezart Veleshnja, aktor Portokalli: Është hera e parë dhe publiku është pak i ndrojtur. Nëse do të ketë bashkëpunime të tjera edhe më të mira, pse të mos bëhen.

Bashkimi kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe vlerat artistike të “SummerFest” bënë që ky projekt të përkrahet edhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë.

“Padyshim që sa më shumë që të ketë aktivitete me vlera, aq më tepër në këtë kohë që është kohë pushimesh dhe njerëzit kanë nevojë që të kenë aktivitetet artistike. Me kalimin e kohës këto po shtohen dhe në vazhdimësi e shohim si një detyrë kryesore të punës tonë”, thotë Shkëlzen Dragaj, këshilltar i Ministrit të Kulturës.

Pas Tiranës dhe Prishtinës, “Sumer Fest” me autore Ledia Likun do të udhëtojë në Strugë, Vlorë,  Sarandë për ta përmbyllur këtë edicion në qytetin e Durrësit.

“Summer Fest” mundësohet nga Fondacioni Mediatik Dritan Hoxha, me mbështetje mediatike të “Top Channel”, “Digitalb” dhe “Top Albania Radio”.

Burimi / Top Channel

KOMENTO