“The voice of Albania 4”: Audicioni i Prishtinës, javën tjetër në Strugë, Tetovë dhe Tiranë

Në Kosovë janë zhvilluar audicionet për edicionin e 4 të “The Voice of Albania”, si faza e parë e garës për çmimin e madh të zërit më të mirë shqiptar për vitin 2014.

Pas Gjakovës e Prizrenit,  të dielën ishin të rinjtë e kryeqytetit, të cilët u përballën me juri profesioniste. Duke parë këtë spektakël si më të rëndësishmin për të treguar talentin e tyre.

“E kam ndjekur gjithmonë “The voice of Albania” dhe mendoj që është një mundësi e mirë ku mund të përdor zërin tim dhe ta krahasoj atë edhe me të tjerët”, u shpreh konkurrentja Jehona Ibishi.

“Kam shikuar “The voice” në vende të ndryshme të botës dhe besoj që është më i miri dhe prandaj kam zgjedhur të marrë pjesë”, tha Gzim Metaj, konkurent.

Përzgjedhësja e talenteve në kryeqytet, këngëtarja Teuta Kurti, vlerësoi audicionet si kualitative duke paralajmëruar prurje interesante  në skenën e “The Voice 4”.

“Sigurisht që karakteristika vazhdon të jetë e njëjta që të përzgjedhim sa më shumë talente të reja, të cilët fatmirësisht vinë dhe nuk hezitojnë. Kemi nga natyrat më të ndryshme, gjë që e bën këtë spektakël edhe më interesant, vokale të ndryshme, karaktere të ndryshme. Shpresoj që edhe ky vit do të jetë i mirë po ashtu si edhe vitet e tjera sepse jemi vërtet shumë të kënaqur me të gjithë këta konkurrentë që kanë marrë pjesë”, tha Teuta Kurti.

Përveç Kosovës, ekipi i “The Voice” do të udhëtojë edhe në Maqedoni, ku më 2 shtator do të zhvillohen audicone në Strugë te salla e Komunës dhe Tetovë në Pallatin e Kulturës, duke filluar nga ora 10:00.
Ndërsa audicioni i fundit është në Tiranë, te Top Channel, pranë Piramidës,  me datë 6 shtator, në ora 10:00, si mundësi e fundit për të rinjtë e të gjitha qyteteve që nuk arritën të konkurrojnë në audicionet e mëparshme.

Drejtori muzikor, i cili po ndjek gjithë përzgjedhjen është Shpëtim Saraci, ndërkohë që vazhdojnë të jenë të hapura  aplikimet online, për të gjithë ata që ende nuk kanë konkurruar.
Burimi | Top Channel

KOMENTO