Në një koferencë për shtyp të mbajtur pasditen e se Hënës, Radio Televizioni Publik Shqiptar prezantoi strukturën e re të “Festivali i Këngës” i njohur ndryshe si Festivali i RTSH.
Festivali i Këngës i cili këtë vit shënon 55 vjetorin e tij, sipas drejtorit të RTSH, Thoma Gëlliçi, do t’i rikthehet shkëlqimi i dikurshëm.
Edicioni i 55-të i Festivalit, do të ketë si drejtues një nga emrat më të njohur të botës së ekranit, pikërisht producentin dhe regjisorin Rezart Aga i cili për vite me rradhë ka drejtuar disa nga spektaklet më të shikuar në Top Channel si Big Brother apo Master Chef.
Aga prezantoi gjithashtu edhe 5 anëtarët e jurisë, të cilët do të zgjedhin vetëm 24 këngët konkuruese të festivalit pranimi i të cilave vazhdon deri në 24 Tetor: Bojken Lako, Alfred Kaçinari, Gent Rrushiti, Shpëtim Saraçi dhe Florent Boshnjaku.
Ashtu si çdo vit, festivali i fundvitit në RTSH do të zgjasë tri netë, dy gjysmë finale dhe finalen e madhe, në të cilën do të prezantohen 14 këngë, që do të përzgjidhen nga një juri e përbërë nga kritikë të artit dhe medias, por që do të ngelen sekret deri në natën e fundit të eventit.
Melsi Qirici do të jetë ajo që do të zhvillojë skenarin e festivalit, në të cilin interpretimi do të jetë tërësisht live.
Ndryshe nga vitet e kaluara ku në Eurovision merrte pjesë vetëm fituesi, Fest55 do t’i japë mundësinë që edhe fituesit e vendit të dytë dhe të tretë të kenë shansin të shijojnë nga afër magjinë e Eurovision.
Copyright IMAlbania.com