Abacus, audienca të larta edhe për TV që nuk transmetojnë më

Provat e mungesës absolute të investimeve teknologjike dhe të punonjësve, të treguara deri tani, mjaftojnë për të dëshmuar se Abacus shpk (kompania që merret me audiencën televizive në Shqipëri) nuk ka kushte teknike dhe profesionale për të nxjerrë asnjë raport të besueshëm mbi audiencën e kanaleve televizive, thjesht për faktin se nga bilancet nuk rezulton të ketë asnjë nga teknologjitë e domosdoshme për të grumbulluar dhe përpunuar të dhënat, dhe nuk ka asnjë të punësuar.

Por, kjo provë përforcohet më tej nga mungesat e dukshme të koherencës, që dalin nga raportimet e tij. Në fakt, të dhënat e shpërndara nga Abacus shpk bien në kundërshtim në mënyrë të dukshme me ato, të shpërndara nga një kompani e dytë dhe e vetme, e pranishme në treg, që operon në të njejtin sektor: Telemetrix shpk. Kompania Telemetrix e themeluar më 26.06.2012, dhe nga shifrat e nxjerra nga bilancet duket si një kompani krejt ndryshe nga Abacus. Abacus ka një kapital prej vetëm 100.000 lekësh të paderdhur, Telemetrix ka një kapital prej 12 milionë lekësh (të reja).

Abacus deklaron në 2016 një kosto për personelin prej 264.000 lekësh (të reja) për gjithë vitin, ndërsa Telemetrix deklaron 4.500.000 (të reja). Abacus deklaron 1.4 milionë të ardhura në 2016 dhe Telemetrix deklaron gati 10 herë më shumë. Dhe, megjithë diferencën e jashtëzakonshme në vlerat e dy kompanive, Telemetrix arrin të monitorojë, sipas të dhënave zyrtare të shpërndara nga shoqëria, vetëm 375 familje në shtatë qytete të Shqipërisë (Tiranë, Durrës, Fier, Elbasan, Shkodër, Berat, Korçë), ndërsa Abacus, pa asnjë investim, pretendon të monitorojë më se 1.000 familje në të gjitha qytetet e vendit, duke pohuar zyrtarisht se ofron projeksione mbi shikimet e 2.353.634 shqiptarëve që zotërojnë një televizor, dmth mbi gjithë “universin” e telespektatorëve në vend.

Problemi është se raportet e Abacus shpk, të nxjerra pa asnjë teknologji, nuk përputhen kurrë me raportet e Telemetrix-it, të cilët, në të kundërt, realizohen me anë të teknologjisë së duhur që disponon. Pra të dhënat e Abacus, të sajuara me intuitë në tavolinë, apo të llogaritura mbi bazën e një numri të papërfillshëm familjesh, dëmtojnë sistematikisht disa operatorë televizivë dhe favorizojnë disa të tjerë, duke manipuluar de facto tregun e audiencës televizive dhe tregun e reklamës.

Kulmi i kësaj mosperputhjeje të shifrave të audiencës ka ndodhur edhe  në rastet e eventeve të mëdha televizive, si ndeshja e futbollit Shqipëri-Itali, e transmetuar nga RTSH: sipas Telemetrix, RTSH gjatë transmetimit të takimit shënoi rekordin e shikueshmërisë, ndërsa sipas Abacus (që mesa duket e kishte “harruar” ndeshjen) RTSH kishte të njëjtën audiencë të një dite normale, kurse në vend të parë të shikueshmërisë vendoste një televizion që transmetonte një intervistë të regjistruar, pasi drejtuesi i atij emisioni edhe vetë po ndiqte ndeshjen e futbollit.

 

Për të mos folur pastaj për një televizion të fikur (pra që nuk transmeton më), por që sipas Abacus ka shikueshmëri shumë të mirë. Historia është e tillë: Një kanal televiziv, i quajtur Club Tv, që transmetonte në Tiranë më datë 29 gusht 2017, vendosi të ndërpresë transmetimet. Ky vendim nuk u komunikua publikisht. Dhe kështu Abacus nuk mundi të modifikojë në mënyrë manuale raportet e veta dhe për disa muaj rresht vazhdoi të nxirrte në raporte shikimet e Club Tv, pra të një kanali të fikur.

Madje, shikime që flisnin për sukses: shpesh herë, kanali i fikur rezultonte me një audiencë më të lartë, jo vetëm krahasuar me kohën kur funksiononte rregullisht, por edhe me shumë kanale të tjerë që vazhdonin të transmetonin rregullisht. Duket si një barceletë, megjithatë kjo është metoda, me të cilën Abacus monitoron tregun televiziv shqiptar dhe çorjenton tregun publicitar që vlen miliona euro. (Pjesa e parë u botua në numrin e djeshëm të Shqiptarja.com, datë 18.01.2018)

Faksimile e bilancit nga shoqëria Abacus shpk për vitin 2016. Rezulton në 12 muaj me vetëm 1.4 milionë lekë të ardhura, me vetëm 264 mijë lekë paga baraz me një rrogë mujore prej 22 mijë lekë që është më pak se rroga minimale parashikuar nga ligji 24 mijë lekë, pa asnjë makineri, pajisje kompjutera apo mjete transporti dhe me zero investime

 

d.c./shqiptarja.com

REKLAMA
loading...

KOMENTO

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.