AMA jep licensën e katërt kombëtare për Vizion Plus, por procesi i dixhitalizimit mbetet ende i hapur

Pas ndarjes së tre licensave numerike me vendim gjykate, AMA i jep “Vizion Plus” licensën e katërt, ndërkohë që kompania “ADTN” e zotëruar nga Digit-Alb dështoi të siguronte kuorumin e votave për licensën e fundit.

Kryetari i AMA, Gentian Sala, duke folur gjatë një mbledhje të Komisionit Parlamentar të Medias në vitin 2014. | Foto nga : LSA

Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA vendosi të premten që t’i japë televizionit “Vizion Plus” licensën e katërt të transmetimeve numerike, ndërkohë që gara vazhdon të mbetet e hapur për licensën e pestë dhe të fundit. Përmes një njoftimi për shtyp, AMA deklaroi se në mbledhjen e 29 dhjetorit shqyrtoi aplikimet e pesë subjekteve në garë për dy licensa kombëtare private të transmetimit audioviziv dhe vendosi të miratojë vetëm njërën prej tyre.

Sipas njoftimit, AMA vendosi dhënien e licensës kombëtare për shoqërinë “Media Vizion” sha dhe mosdhënien e licensës për shoqërinë “ADTN” sha. Kjo e fundit nuk arriti të siguronte kuorumin e nevojshëm të votave.

“ADTN” sha është një kompani e re e themeluar më 13 shtator 2016 dhe që zotërohet në 100 për qind të aksioneve nga platforma e transmetimeve me pagesë, Digit-Alb. Tre shoqëritë e tjera, “ABC News”, “Tring TV” dhe “Ora” sha janë skualifikuar nga gara.

I nisur prej qershorit 2012 si një kusht i Bashkimit Europian, procesi i dixhitalizimit në Shqipëri është shoqëruar me zvarritje të shumta, akuza për favorizime dhe procese të vazhdueshme gjyqësore. Procedura e parë, e cila u njoh me emrin Beauty Contest u rrëzua në gjykatë pas ankesës së operatorëve në garë.

Më 23 prill 2015, AMA shpalli procedurën e dytë të Beauty Contestit përmes dy kritereve; operatorët duhej të kishin licencë kombëtare ose eksperiencë në transmetimet dixhitale.

Të përzgjedhurit e AMA ishin televizionet kombëtare Top Channel dhe TV Klan, dy platformat dixhitale ekzistuese, Digit-Alb dhe Tring TV dhe një kompani e quajtur Supersport, e cila zotërohej gjithashtu 100 për qind nga Digit-Alb. Përfshirja e Supersportit në garë u kundërshtua nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike, ndërkohë që shpërndarja e licensave u bllokua sërish në AMA.

Megjithatë, një vendim i marsit 2016 i Gjykatës Administrative të Tiranës vendosi t’u japë tre prej licensave subjekteve “Top Channel”, “TV Klan” dhe “Digit-Alb”.

Më 3 nëntor 2016, AMA çeli garën për dhënien e dy licensave të fundit numerike për operatorët privatë, por nuk ka mundur sërish ta përmbyllë procesin që duhej të kishte përfunduar më 17 qershor 2015.

Marrë nga reporter.al

REKLAMA
loading...

KOMENTO

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.