Pas vitesh spekulimesh, Apple ka hyrë zyrtarisht në tregun e telefonave të palosshëm. Kompania prezantoi sot iPhone Duo, iPhone-in e parë foldable në historinë e saj dhe një nga ndryshimet më të mëdha në dizajnin e pajisjes që prej prezantimit të iPhone-it origjinal.
Modeli i ri hapet si një libër dhe, sipas Apple, kur është plotësisht i hapur bëhet iPhone-i më i hollë i prodhuar ndonjëherë, ndërsa ekrani i brendshëm prej 7.6 inçësh është më i madhi që është vendosur ndonjëherë në një iPhone.
Kur mbyllet, iPhone Duo ka një ekran të jashtëm prej 5.4 inçësh dhe përmasa që Apple i krahason me ato të një pasaporte. Të dy ekranet kanë të njëjtin raport, në mënyrë që aplikacionet dhe përmbajtja të kalojnë natyrshëm nga ekrani i jashtëm tek ai i madh.
Çmimi? Nga 1,999 dollarë
Risia vjen me një çmim rekord.
iPhone Duo nis nga 1,999 dollarë në SHBA për versionin 256 GB dhe do të ofrohet gjithashtu në 512 GB, 1 TB dhe 2 TB. Varianti me kapacitetin më të madh mund të arrijë deri në 3,199 dollarë në tregun amerikan.
Për të krijuar një ide më të qartë për çmimet europiane, Apple në Irlandë e liston modelin bazë 256 GB me 2,369 euro, ndërsa versioni 2 TB arrin në 3,869 euro. Çmimet do të ndryshojnë sipas tregut dhe taksave lokale.
Dy ekrane dhe iOS 27 i përshtatur për to
Por Duo nuk është thjesht një iPhone që paloset. Apple ka përshtatur iOS 27 për ekranin e ri, duke i dhënë më shumë rëndësi multitasking-ut dhe mundësisë për të përdorur aplikacione njëkohësisht në hapësirën më të madhe.
Në brendësi ndodhet procesori A20 Pro, së bashku me një sistem të ri ftohjeje dhe arkitekturë me dy bateri. Telefoni ka trup prej titani dhe një mekanizëm të ri menteshe të projektuar posaçërisht për palosjen.
Edhe kamerat përfitojnë nga forma e re. Duo ka sistem me dy kamera 48 MP dhe mund të përdorë ekranin e jashtëm si preview gjatë fotografimit. Për shembull, personi që fotografohet mund të shohë vetë kadrin në ekranin e jashtëm ndërsa dikush tjetër realizon foton.

Kur del në shitje?
iPhone Duo do të vijë në dy ngjyra, Star White dhe Night Sky.
Por ata që e duan menjëherë do të duhet të presin pak më shumë se zakonisht: porositë paraprake hapen më 16 tetor, ndërsa shitjet fillojnë më 23 tetor 2026 në mbi 70 vende dhe rajone. Një grup tjetër prej 28 tregjesh do ta marrë pajisjen nga 30 tetori.
Apple nuk e përmend Shqipërinë në listën fillestare të vendeve të publikuar në njoftimin e saj, ndaj për momentin nuk duhet dhënë një datë zyrtare për tregun shqiptar.
iPhone Duo shënon kështu hyrjen e Apple në një kategori ku Samsung dhe Google kanë vite që eksperimentojnë. Diferenca është se Apple po e pozicionon produktin e saj të parë foldable drejtpërdrejt në segmentin ultra-premium.







