Televizion Channel One, kohët e fundit ka ndërruar aksionerë dhe tashmë është në proçes te përgjithshëm ndryshimi. Sipas burimeve tona, financierët e rinj që kanë blerë këtë media, për një shumë që nuk bëhet e ditur, janë nje grup investitorësh turk.
Channel One u themelua ne janar te vitit 2011 nga sipërmarrësi Ylli Ndroqi, pronar i Yldon Group që zotëron edhe median tjetër Ora News. Nga krijimi i tij ky televizion ka pësuar shumë ndryshime si në identitet, programacion ashtu edhe në teknologji. Channel One transmeton sot në digital tokësor në formatin HD për Tiranën dhe rrethinat. Një pjesë e programeve që transmetohen janë emisione të Ora News, gjithashtu nuk dihet nëse ky ndryshim do të ndikojë edhe tek stafi aktual i kanalit apo edhe blerje të reja. Ditë më parë u përfol se Adi Krasta do të ishte një nga emrat që do t’i bashkoheshin stafit të ri në rolin e Drejtorit Artistik.
Gjithmonë sipas burimit të IMA, (Info Media Albania) grupi i ri i aksionërve ka gjasa të jetë Çalık Holding, një nga kompanitë më të mëdha në Turqi, që operon në sektorin e industrisë tekstile, energjisë, ndërtimit, financës, logjistikës dhe medias, prej vitesh prezente në Shqiperi me Albtelecom, Eagle Mobile dhe Bankën Kombetare Tregtare. Një emër, një investim që do të ndikonte dukshëm në kokurencën me operatorët e tjerë televiziv në treg.
Lajmi nuk është i konfirmuar por pritet të zyrtarizohet edhe për median në datë 15 shtator kur do të bëhet edhe kalimi perfundimtar i aksioneve tek financierët e rinj turk.