Problemet me llogaritë shqiptare në Instagram duket se po marrin përmasa të reja. Këtë herë është prekur edhe një prej mediave kryesore në vend: llogaria zyrtare e Euronews Albania nuk është më e aksesueshme në Instagram.
Sipas vetë televizionit, gjatë së premtes profili është shfaqur me njoftimin “user not found”, pa një paralajmërim apo shpjegim të qartë paraprak mbi arsyen e çaktivizimit.
Rasti bëhet edhe më interesant për shkak të momentit kur ka ndodhur. Vetëm një mbrëmje më parë, në emisionin “Review” të Euronews Albania ishte diskutuar pikërisht fenomeni i mbylljes së llogarive shqiptare në Instagram.
Në studio, eurodeputeti Sandro Gozi kishte kërkuar më shumë transparencë nga Meta, duke ngritur pikëpyetje nëse rastet lidhen me probleme teknike, shkelje të rregullave të platformës apo me abuzimin e mundshëm të sistemit të raportimeve. Më pak se 24 orë më vonë, llogaria e vetë televizionit rezultoi e paaksesueshme.
Megjithatë, nuk ka asnjë provë që dy ngjarjet janë të lidhura dhe çdo pretendim në këtë drejtim, pa një shpjegim nga Meta, do të mbetej spekulim.
Nuk është rasti i vetëm
Çështja merr një tjetër peshë pasi Euronews Albania raporton se gjatë ditëve të fundit janë regjistruar dhjetëra raste të llogarive shqiptare të mbyllura në Instagram.
Sipas medias, Meta ka pranuar se disa llogari janë hequr gabimisht dhe ka nisur rishikimin e masave, ndërsa disa profile janë rikthyer. Ende, megjithatë, mungon një shpjegim i plotë për atë që ka shkaktuar valën e problemeve.
Dhe pikërisht përfshirja e një mediaje si Euronews Albania e zhvendos debatin përtej shqetësimit të influencerëve apo përdoruesve individualë.
Për mediat, Instagram nuk është më vetëm një rrjet social. Ai është një prej kanaleve kryesore të shpërndarjes së lajmeve, videove dhe përmbajtjeve, si dhe një mënyrë për të komunikuar drejtpërdrejt me qindra mijëra përdorues.
Nëse një llogari mund të bëhet papritur e paaksesueshme, çështja që ngrihet është edhe ajo e varësisë së mediave nga platformat teknologjike dhe transparencës së vendimeve të tyre.
Për momentin mbetet për t’u parë nëse profili i Euronews Albania do të rikthehet dhe, mbi të gjitha, nëse Meta do të japë një shpjegim më të gjerë për problemet që po raportohen nga përdoruesit shqiptarë.








