“Portokalli” para dy javësh nisi sezonin e ri televiziv dhe publiku pa në kastin e aktorëve edhe shumë fytyra të reja. Në këtë sezon pas shkrirjes së programit “Pa limit”, aktorët e këtij emisioni u transferuan në “Portokalli”. Atyre iu besua një rubrikë e veçantë në të cilën interpretojnë në grup. Mbrëmjen e djeshme aktorët e “Pa limit” kanë interpretuar një numër shumë të bukur i cili u pëlqye dhe u duartrokit edhe në sallën e “Portokalli”-së . Bëhet fjalë për inskenimin e një situate ku tre zonja në moshë shkojnë në kinema për të parë një film dhe aty ndeshen me një djalosh.
Batutat më shumë humor na bënë të qeshnim por në fakt e njëjta pjesë, me të njëjtën situatë dhe të njëjtin tekst është luajtur shumë vite më parë nga disa aktorë grekë. Blitz.al ka zbuluar se bëhet fjalë për programin “Gamos Ala Plagia” me protagonist një nga humoristët dhe producentët më të njohur grek, Markos Serfelis. Në vitin 2009 Serfelis me disa kolegë të tij ka luajtur pikërisht pjesën që dje aktorët e rinj të “Portokalli”-së sollën për publikun tonë.
Mjafton të kesh ndjekur sadopak televizionet greke, sidomos “Antena”, një nga kanalet më të ndjekur në shtetin fqinj, për të kuptuar se numri i djeshëm ishte shumë i njohur. Në ditët e sotme mjafton një klikim në internet dhe menjëherë e kupton se në fakt e njëjta pjesë qenka luajtur vite më parë nga një tjetër kast aktorësh. Pavarësisht kësaj të gjithë ne qeshëm me historinë e tre zonjave dhe thashethemet e tyre në kinema, qeshëm kur e pamë në shqip por edhe në gjuhën greke. /Blitz.al/