Pas më shumë se një dekade trazirash në pronësi, përplasje mes aksionerëve dhe procese të stërzgjatura gjyqësore, një nga platformat më të mëdha mediatike në rajon, DigitAlb, ka hyrë në një fazë të re stabiliteti.
Burime të sigurta për Vox News konfirmojnë se mbi 80% e aksioneve të kompanisë janë blerë nga familja e themeluesit Dritan Hoxha, përmes kompanisë “About Time”, duke rikthyer kontrollin e plotë aty ku nisi historia e DigitAlb në vitin 2004.
Riorganizim i brendshëm, jo shitje te të huajt
Në kundërshtim me zërat e përhapur nga konkurrentët, nuk ka patur asnjë marrëveshje me grupe të jashtme – përfshirë këtu edhe grupin Devolli – dhe asnjë ndryshim të administratës.
Eglinor Ramaj mbetet në postin e Administratorit, ndërsa strategjia e re synon një konsolidim të strukturës, investime në teknologji dhe zgjerim të portofolit të shërbimeve.
Nga trazirat te vizioni afatgjatë
Gjatë viteve të fundit, DigitAlb është përballur me një sërë sfidash – nga ndryshimet në sjelljen e konsumatorëve dhe konkurrenca e shtuar në tregun digjital, deri te tensionet e brendshme mes aksionarëve.
Riorganizimi aktual shihet si një hap strategjik për të tejkaluar këto pengesa dhe për të ndërtuar një model më efikas e të orientuar drejt inovacionit.
Rezultate financiare pozitive
Bilanci i kompanisë për 6-mujorin e parë të vitit 2025 rezulton me fitim, me pritshmëri për rritje të mëtejshme falë përmirësimit të cilësisë së shërbimit dhe zhvillimeve teknologjike. Aplikacioni DigitAlb vijon të konsiderohet si një nga platformat më të avancuara në industrinë mediatike shqiptare.
Synimet për të ardhmen
Strategjia e re përfshin:
-
Marrjen e ekskluzivitetit të të gjitha eventeve sportive madhore.
-
Rritjen e aksesueshmërisë për abonentët në të gjithë botën.
-
Investime në teknologji të transmetimit dhe përmbajtje origjinale.
Ky konsolidim pronësie jo vetëm që i jep fund një kapitulli të gjatë pasigurie, por gjithashtu vendos DigitAlb në një pozitë të favorshme për të qenë lider i padiskutueshëm në tregun shqiptar të medias digjitale.








