Tashmë Ermalin, artistin nga Fieri dhe që jeton prej shumë vitesh në Itali e njohim të gjithë. Sidomos, me debutimet e tij në Festivalin e Sanremo në 2017 dhe sëfundmi këtë edicion të 2018-ës ku ishte fituesi i eventit të muzikës në Itali me këngën “Non Mi Avete Fatto Niente” e performuar sëbashku me Fabrizio Moron.
E ndërsa ishte Shqiptari i dytë i konfirmuar në Eurovision 2018 që do të mbahet javën e ardhshme, Ermali në të gjitha intervistat e tij nuk e kishte mohuar kurrë prejardhjen.
Të gjithë do të donim që ai të performonte edhe në Shqipëri, dhe tashmë jemi shumë pranë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka lajmëruar publikun përmes faqes së tij zyrtare në Facebook se Ermal Meta do të performojë për herë të parë në një skenë Shqiptare më datën 1 Qershor në Sheshin Skëndërbej.
Eventi do të organizohet në kuadër të “Festës së Republikës Italiane” në bashkëpunim të Bashkisë së Tiranës dhe Ambasadës Italiane.
Rezervoje dhe ti datën, sepse ne tashmë e kemi bërë!/IMA/