Një prej ngjarjeve historike të kinematografisë shqiptare rikthehet në skenën kulturore. Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar vjen këtë shtator me edicionin e tij të 14-të, duke sjellë për dhjetë ditë me radhë filmin shqiptar në qendër të vëmendjes.
Festivali do të zhvillohet nga 3 deri më 12 shtator 2026, me një program që synon jo vetëm të prezantojë prodhimet filmike shqiptare, por edhe të krijojë një pikë takimi mes kineastëve, profesionistëve të industrisë dhe publikut.
Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar
Motoja e këtij edicioni mund të përmblidhet pikërisht te “rikthimi i një tradite kinematografike”. Organizatorët synojnë të rindërtojnë urën mes kinematografisë shqiptare dhe publikut, por njëkohësisht edhe të frymëzojnë brezin e ri për t’u bërë pjesë aktive e industrisë së filmit.
Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar
Programi nuk do të kufizohet vetëm te shfaqjet e filmave. Përgjatë ditëve të festivalit janë parashikuar net tematike dhe aktivitete të dedikuara Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, shoqatave kinematografike, studiove shqiptare të prodhimit, shkollave të filmit, Akademisë Shqiptare të Filmit, Balkan Film Market, muzikës shqiptare të filmit dhe Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.
Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar
Në programin e publikuar deri tani shfaqen filma dhe autorë të njohur të kinematografisë shqiptare. Mes titujve janë “Streha mes reve”, “Pikë Uji”, “Agon”, “Bota”, “Dritë”, “Pritja” dhe “Internim”, ndërsa pjesë e programit jashtë konkurrimit janë edhe produksione të tjera.
Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar
Një nga premierat e parashikuara është “Film i Shtetit” i Roland Sejkos, i mbështetur nga Instituti Italian i Kulturës në Tiranë dhe i prezantuar jashtë konkurrimit.
Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar
Festivali do të nisë më 3 shtator me tapetin e kuq dhe ceremoninë e hapjes, ndërsa maratona dhjetëditore do të kulmojë më 12 shtator me ceremoninë zyrtare të ndarjes së çmimeve.
Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar
Një rol të rëndësishëm në edicionin e ri do të ketë edhe Akademia Shqiptare e Filmit, ku bëjnë pjesë dhjetëra profesionistë të kinematografisë, nga regjisorë dhe skenaristë te producentë, aktorë dhe profesionistë të tjerë të industrisë.
Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar
Pas një mungese të gjatë, rikthimi i Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar synon kështu të rivendosë një traditë të rëndësishme dhe të krijojë një hapësirë ku historia e kinemasë shqiptare takohet me gjeneratën e re të autorëve.
Nga 3 deri më 12 shtator, Tirana do të flasë shqip përmes kinemasë.
Programi dhe informacionet e Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar.








