Tashmë prej një kohësh Radio Televizioni Shqiptar ka filluar ndërtimin e platformës digjitale dhe njëherazi edhe procesin e digjitalizimit në Republikën e Shqipërisë. Proces ky, që në vite është zvarritur derisa vitin e kaluar mori formën e tij të plotë të fillimit të punës.
Lexuesit e IMAlbania.com, kanë patur mundësinë të ndjekin në mënyrë të shpejtë dhe korrekte të gjithë informacionin sa i përket digjitalizimit të RTSH i cili së fundmi po merr edhe rrjedhën e tij të plotë të kanaleve të lancuara.
Aktualisht Televizioni Shqiptar është duke transmetuar 9 kanale: RTSH 1 HD, RTSH 2 HD, RTSH 3, RTSH Sport, RTSH Film, RTSH Shqip, RTSH Muzike, RTSH Parlament dhe RTK i cili do të transmetojë në mukset e RTSH programet e veta.
Duke filluar nga Shtatori, RadioTelevizioni Shqiptar do të transmetojë plot 12 kanale origjinale, ku përveç kanaleve më sipër do të shtohen edhe dy kanale të reja.
Prej disa ditësh RTSH ka lancuar me një program testues RTSH 24, i cili sipas burimeve të IMAlbania.com pranë RadioTelevizionit do të jetë një kanal i tipit “all news” duke transmetuar 24/7 lajme nga vendi, rajoni dhe bota. RTSH 24 do të startojë me një program gjeneral nga Shtatori 2017, ndërkohë që së shpejti do të blihen edhe paisjet e duhura për funksionimin e mirëfilltë të kanalit.
RTSH Parlament po ashtu për të cilin ju kemi informuar disa javë më parë, do të fillojë transmetimin e tij normal ku përveç seancave të kuvendit do të ketë në transmetim edhe komisionet parlamentare të ligjeve.
RTSH Jetë kështu do të titullohet kanali “lifestyle” në paketën digjitale të RTSH. IMAlbania.com zbulon se kanali do të transmetojë programacione duke përfshirë emisione të gatimit, formate televizive “cooking show” dhe gjithçka që ka të bëjë me të jetuarin bukur por edhe shëndetshëm..
RTSH për fëmijë, do të jetë një kanal dedikuar tërësisht publikut të vogël të ekranit, duke i argëtuar ata me programacion të pasur me filma për fëmijë si dhe emisione të ndryshme të përshtatura për ta. Ndërkohë, kanali ende nuk e ka marrë emrin e tij final të cilin do ta zbulojmë në muajin Shtator.
Këto do të jenë kanalet të cilat aktualisht do të transmetojnë sezonin e ardhshëm televiziv duke filluar nga Shatori në RadioTelevizionin Shqiptar me një program i cili premton për transmetuesin publik një rritje të audiencës së tij.
EKSKLUZIVE E IMAlbania.com | Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa autorizim nga IMA!