Sezoni i ri televiziv pritet të sjellë ndryshime të rëndësishme në ekranin e RTSH-së. Televizioni publik duket se ka hyrë fuqishëm në merkaton televizive, me emra të njohur, projekte të reja dhe një vëmendje të veçantë ndaj fashës së prime time-it.
Lëvizjet nuk duket se kufizohen vetëm te figurat që do të shfaqen përpara kamerave. Në RTSH flitet edhe për afrime dhe ndryshime mes autorëve, gazetarëve, producentëve dhe profesionistëve të tjerë që do të ndërtojnë programacionin e sezonit të ardhshëm.
Mes emrave që po qarkullojnë janë Eva Murati, Arvin Kita, Klotilda Harka, Matilda Terpollari, Elona Jacellari, Bojken Lako, Gjergj Kaçinari dhe Alba Çobaj, duke paralajmëruar një konfigurim të ri të ekranit publik.
Por lëvizja që mund të marrë vëmendjen më të madhe lidhet me mbrëmjet e RTSH-së.
Televizioni publik pritet t’i japë një hapësirë të rëndësishme spektaklit muzikor dhe performancës live, ndërsa dy emra të mëdhenj të muzikës shqiptare, Alfred Kaçinari dhe Shpëtim Saraçi, lidhen me projekte të reja në prime time. Synimi duket se është rikthimi i orkestrës, muzikës live dhe produksioneve të mëdha artistike në qendër të programacionit.
Nëse këto projekte konkretizohen, do të kemi një tentativë të qartë të RTSH-së për të forcuar konkurrencën në fashën më të rëndësishme televizive, pikërisht aty ku televizionet kombëtare private vendosin produksionet e tyre kryesore.
Ndryshime priten edhe për disa prej figurave që tashmë janë pjesë e televizionit publik. Anjola Hamzaj përflitet për një program tjetër, ndërsa Krist Martiro dhe Sonila Agostini mund të shfaqen në role dhe projekte të reja gjatë sezonit.
Lista, megjithatë, mund të mos jetë përfundimtare.
Me sezonin televiziv që po afrohet, mbetet për t’u parë se cilat prej lëvizjeve do të zyrtarizohen dhe çfarë projektesh konkrete do t’u besohen emrave të përfolur.
Ajo që duket tashmë është se RTSH po kërkon një prezencë shumë më të fortë në garën televizive të sezonit të ri, veçanërisht në prime time.








