NGA SHIRLA PRENI
Shëndeti mendor përkufizohet si një gjendje e mirëqenies në të cilën individi kupton aftësitë e tij për të përballuar stresin normal të jetës, punon në mënyrë produktive dhe është në gjendje të japë kontribut në komunitetin e tij, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Sipas OBSH, shëndeti mendor përfshin “mirëqenien subjektive, vetë-efikasitetin e perceptuar, autonominë, kompetencën,varësinë ndërmjet brezave dhe vetëaktualizimin intelektual dhe emocional.
Ai ndikon në mënyrën sesi ne mendojmë, ndiejmë dhe veprojmë. Gjithashtu ndihmon në përcaktimin se si perballojmë stresin, si lidhemi me të tjerët dhe si bëjmë zgjedhjet në jetë. Shëndeti mendor është i rëndësishëm në cdo fazë të jetës, që nga fëmijëria e deri në moshën e rritur.
Nga këndvështrimet e psikologjisë pozitive ose të holizmit, shëndeti mendor mund të përfshijë aftësinë e individit për të shijuar jetën dhe për të krijuar një ekuilibër midis aktiviteteve të jetës dhe përpjekjeve për të arritur qëndrueshmëri psikologjike.
Shëndeti mendor është i rëndësishëm pasi ai ndikon në mendimet, sjelljet dhe emocionet tona. Të qenurit I shëndetshëm emocionalisjt mund të promovojë produktivitet dhe efektivitet në aktivitete të ndryshme përgjatë jetës. Ai luan nje rol shumë të rëndësishëm në shëndetin e mardhënieve, lejon të përshtatemi me ndryshimet përgjatë jetës si edhe të përballojmë fatkeqësitë.
Ekzistojnë disa faktorë mbrojtës dhe riskues në periudha të caktuara përgjatë jetës të cilat ndikojnë apo mbrojnë individin ndaj riskut për të pasur problematika të shëndetit mendor.
Intervistë me Zonjën M
Zonja M është një grua që jeton në qytetin e Shkodrës, rreth të tridhjetave. Ajo është informuar mbi parimet e konfidencialitetit si edhe me qëlllimin që ky shkrim ka. Kjo intervistë e shkurtër ka si qëllim të ndërgjegjësoje persona me problematika të ngjashme për tu kujdesur për shëndetin mendor.
- Si ka qenë fëmijëria jote? Si do të ma përshkruaje atë?
Fëmijëria ime ka qenë një ndër periudhat më të bukura të jetës. Në familje kam qenë vajzë e vetme dhe kështu pak e përkëdhelur nga familja dhe të afërmit. Jetoja në fshat me prindërit, dy vëlleznit dhe gjyshërit . Kam shijuar cdo moment dhe cdo hallkë të kësaj periudhe kaq të ëmbël.
- Si lindën shqetësimet që manifeston?
Në fakt se kam menduar asnjehërë se kam për të përfunduar kështu por jeta të rrotullon sa andej këtej. Cdo situatë që kam kalu duke qene dhe natyrë e ndjeshme e kam ndrydhur brenda vetes dhe kësisoj duke rënduar gjendjen time. Pyesja veten vazhdimisht, po pse erdhën gjërat kështu, po mos isha unë shkak, a mos ndoshta do të ishte më mire, etj. Këto pyetje të mbysin pak nga pak cdo ditë. Doja të përmendja edhe fëmijët, pasi unë jam një grua e divorcuar, ata janë një peshë e rëndë, një përgjegjësi. Me pyetjet e tyre bëhem akoma më konfuze. Po ashtu doja të theksoja edhe mentalitetin është një komponent i rëndësishëm,i cili ka ndikuar shumë thellë tek unë.
Në një periudhë të jetës ndjeja se nuk kisha kontroll ndaj vetes dhe ndaj jetës time. Përpiqesha të gjeja forcë, thoja se do t’ia dilja, do të punoja fort, prape ndihesha e pafuqishme, pa forcë, e lodhur, duke përfunduar në shtrat dhe aty për mua përfundonte cdo gjë, aty nuk kishte rëndësi asgjë, as fëmija yt.
- A ke bërë dicka ti për veten tënde si një formë ndihme?
Gjithmonë jam munduar të bëj dicka pasi doja të dilja nga kjo vorbull që kisha ngecur. Fillova të bëja ecje me bicikletë për të qenë larg mendimeve, lexoja në internet informacione për tu vetëndihmuar, por kuptoja që sa më shumë mundohesha unë të largohesha aq më shumë rritej ky presion dhe dukej sikur dita ditës jeta më shkonte poshtë.
- A ke kërkuar ndihmë për shqetësimet që ke? Dhe nëse po ku?
Kam kërkuar ndihme kudo që e mendoja të arsyeshme se ndoshta mund të ndikonte për mirë tek unë, kërkoja me ngulm që t’ia arrija qëllimit që i kisha vënë vetes. Duke kërkuar në internet, rastësisht vura re që ofrohej falas terapi në grup dhe kësisoj vendosa t’ i kontaktoj dhe kam ndjekur rregullisht takimet dhe seancat që janë zhvilluar.
- Si të ka shërbyer shërbimi që ke marrë?
Shumë pozitivisht.Takimi me persona të ndryshëm, me problematika të ndryshme, nga ato fare të thjeshta tek ato pak më të vështira, të jep forcë të ecësh ërpara dhe jo më si qëllim personal por të gjithë bashkë. Duke qenë të gjithë bashkë duket sikur kjo rrugë është e lehtë. Këto persona depërtuan thellë tek unë, dhe në pikat më të errëta, të cilat i ndricuan kështu si me magji. Jam shumë e lumtur që isha pjesë pasi më ndihmuan ta largoj atë cipën që po më zinte frymen cdo ditë.
- Si do ta përshkruaje veten tënde ideale? A i ngjason personi që ti je tani?
Personi im ideal është ajo vajza që nuk dorezohet kurrë, që nuk lodhet kurrë, që nuk mund ta mposhti asgjë, që ia del në gjithcka që bën, që arrin dhe të shpërndaj gëzim dhe lumturi tek të tjeret. Kam filluar t’i ngjasoj pak, por kam edhe pak rrugë për t’ia arritur plotësisht.
- Si ndihesh tani?
Tani di të them që dua të jetoj. Kam një force të re në damaret e mi . Dua vetëm që të eci përpara dhe të mos e kthej më kokën pas asnjëherë.
Sugjerime
Është shumë e rëndësishme që të kujdeseni për shëndetin tuaj mendor. Gjithchka nis dhe përfundon tek ne, tek vetë individi, tek vetëdijësimi ynë. Është shumë e rëndësishme të kuptojmë shqetësimet tona. Jo domosdoshmërisht këto shqetësime janë ashtu sic ne i perceptojmë. Ndonjëherë gjërat janë edhe më të thjeshta sec ne i perceptojmë apo mendojmë. Në të vërtetë gjithsecili prej nesh, qoftë edhe një herë në jetë përballet me vështirësi. Vështirësitë dhe problematikat që lenë pas janë nga më të ndryshmet. Rëndësi ka të jemi të vetëdijshëm që dicka po ndodh me ne dhe kjo duhet të shihet si një proces krejt normal jetësor.
Shumë i rëndësishëm është komunikimi, të shprehurit e ndjenjave, mendimeve, shqetësimeve, sado të cuditshme dhe të frikshme të tingëllojnë për tu shprehur me zë të lartë. Asgjë nuk është “e cuditshme”. Është shumë e rëndësishme të komunikojmë me personat tanë të besuar, të shprehim cfarë është brenda nesh. Komunikimi lehtëson dhe ul stigmën. Në rast se shqetësimi vazhdon me të njëjtin ritëm apo agravohet është shumë e rëndësishme komunikimi me profesionistë për të marrë shërbimin e duhur.







