Nga muaji Qershor kompanitë celulare në vend janë të detyruara të rikthejnë paketat 30 ditore. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike e Postare urdhëroi operatorët e tregut të komunikimeve celulare të heqin dorë nga tarifimet katër javore për klientët me parapagesë. Në një intervistë për Radio Televizionin Shqiptar, drejtori i rregullimit ekonomik pranë AKEP Pajtim Melani sqaron se urdhëri vjen pas përfundimit të një hetimi administrativ që AKEP bëri mbi vlefshmërinë e paketave.
“AKEP vendosi që të mbroje konsumatorin dhe të kthejë paketat standarte pra 30 ditë”. Në Mars të 2016 operatorët e tregut të telefonisë celulare ulen kohëzgjatjen e paketave të komunikimit me parapagesë nga 30 në 28 ditë duke rritur kostot vjetore të klientëve për këto shërbime me rreth 6.5%.
“Ulja që ndodhi në mars të 2016 e ditëve nga 30 në 28 solli një rritje çmimi në mënyrë të tërthortë pra 6.5% ndërkohë solli një abonim shtesë për muajin e fundit pra viti filloi të faturohej me 13 muaj në vend të 12 muajve”.
Por çfarë ndodh nëse kompanitë nuk zbatojnë urdhërin e AKEP? “Ne besojmë që kjo gjë do të bëhet në mënyrë vullnetare nga operatorët por në raste të tjera sigurisht që do merren masat përkatëse në mbrojtje të konsumatorit në thelb të ligjshmërisë dhe integritetit të AKEP-it”.
Nga ana tjetër AKEP i ka dhënë zgjidhje edhe një shqetësimi tjetër që lidhej me tregun e telefonisë celulare, portabilitetit të numrit. E thënë ndryshe mundësisë ligjore që ka çdo qytetar për të ndërruar kompaninë duke ruajtur numrin.
“Me ndryshimin e titullarit ka ndryshuar çasjen ka ndryshuar rregulloren dhe tashmë rregullorja e re për portabilitetin mundëson çdo kujt që të portoje numrin brenda 24 orëve”.