Njerëz dhe fate | S01 – E03

More videos
Views
   

Njerez Dhe Fate (Telenovela e pare Shqiptare)

E nisi “odisenë” e xhirimit të telenovelës së parë shqiptare I bindur se do të merrte reagime pozitive. Kishte kohë që vërente se publiku shqiptar ishte i dashuruar me telefilmat latino-amerikanë. E dinte se shtëpiaket, dhe jo vetëm ato, kalonin orë të tëra para ekranit duke ndjekur histori të ndryshme dashurie me të gjitha aventurat që mbartnin brenda. Dhe para një panorame të tillë, çuditërisht, vërente se televizionet shqiptare ishin “të virgjër” në zhvillimin e këtij zhanri filmi. Të gjithë kishin përqendruar vëmendjen te spektaklet e koncertet dhe kishin harruar se publiku i donte telenovelat, ndaj dhe nuk do të ishte keq që këta telefilma me shumë seri të flisnin më në fund shqip. Në këtë mënyrë Ylli Pepo e filloi me besim “eksperimentin” e parë që do të sillte në ekranet shqiptare një telenovelë. Bisedoi me Ruzhdi Pulahën, i cili e përqafoi idenë e kolegut të tij, dhe menjëherë në tryezën e skenaristit Pulaha, filluan të shkruheshin një nga një seritë e njerëzve dhe fateve të tyre. Dy vjet më parë kur nisi kjo “odise” regjisori Ylli Pepo nuk e dinte se telenovela “Njerëz dhe fate” do të kishte kaq sukses. Mbeti jo pak i çuditur kur ndeshi me kërkesën që historia e familjes shqiptare në udhëkryq të vazhdonte. Ndaj Ruzhdi Pulaha, u ul sërish në tryezën e punës e shkroi dhjetë seri të reja. Ndërkohë suksesi nuk donte të ndalej me aq. Ndaj skenaristi dhe regjisori do të vazhdojnë sërish aventurën e tyre. Shumë shpejt “Njerëz dhe fate” do të ketë një serial të tretë e më pas mbase edhe një të katërt….

Telenovela, çfarë do të ndodhë…
Suksesi i dhjetë serive të para, “i detyroi” realizuesit të xhironin edhe dhjetë të tjera. Ngjarjet dhe personazhet në film shoqërohen gjithnjë me një lloj spektakolariteti, me seri në fund të të cilave gjithnjë diçka mbetej pezull, një surprizë, që të bënte të prisje i paduruar pjesën tjetër të filmit. Lola që endet mes dhimbjes së saj, Flori që akoma nuk ka vendosur se cilës ndarje shoqërore do t’i përkasë, një familje që vuan fatin e keq, e një shtresë e errët shoqërore që fiton para e që ngadalë po ngre kështjellën e korrupsionit dhe ligësisë. Shumë gjëra do të mbeten sërish pas sqaruar në serialin e dytë, për t’i lënë vendin surprizave të tjera, të cilat do t’i përkasin serialit të tretë të telenovelës shqiptare. “Edhe seriali i tretë i filmit do të marrë si “lëndë të parë” ngjarje nga jeta e përditshme, thotë regjisori Pepo. Do të çojmë më tej zhvillimin e personazheve, dhe publiku do të ndodhet përpara të papriturave të tjera”. Në dhjetë seritë, xhirimi i të cilave pritet të fillojë së shpejti diçka e madhe do të ndodhë me Lolën. Po ashtu edhe familja e Durim Gurit do të përballet me një tjetër situatë. Të gjithë do të transferohen në Amerikë, do të takojnë atje gruan e Durimit dhe do të rikthehen me të tjera mendime. Flori… do të ndeshet me të tjera ngjarje spektakolare. Ndërsa personazhet negativë të filmit do të marrin një tjetër rrjedhë. Bosi, politikani, prostituta Didi, dhe Xhuli do të hyjnë në tunele të reja. Do të fillojnë të vendosin të tjera lidhje të çuditshme me mafian ndërkombëtare. “Lidhjet që do të sigurojnë personazhet negativë, do të krijojnë një “oktapod shqiptar”, e keqja e të cilit do të shpërthejë nga të gjitha anët, shton regjisori Pepo, duke lënë pa thënë shumë gjëra të tjera të cilat priten të zbulohen nga seriali i tretë i telenovelës shqiptare.

Jo më një telenovelë
Në të vëretë seriali “Njerëz dhe fate” kishte vetëm emrin telenovelë. Ngjarjet në të u zgjeruan aq shumë sa ai tashmë ka marrë pozicionin e një filmi serial. “Atëherë kur filluam këtë iniciativë e nisëm duke u mbështetur në ligjin për televizionin, tregon regjisori. Shteti parashikon fonde për orkestrën simfonike, për transmetimet satelitore dhe për prodhimin e filmave. Por Televiozini Publik po shkonte pas atyre private dhe dukej sikur ishte harruar zhanri aq i bukur i filmit. Ndaj edhe ne zgjodhëm më të vështirën, realizimin e një telenovele, si për të vërtetuar edhe faktin tjetër se TVSH-ia duhet të lëvronte diçka të vetën, të prodhonte diçka të re, diçka të ndryshme nga ajo që bënin privatët. Ndërkohë termin telenovelë e përdorëm për publicitet, sepse tashmë ai është kthyer në një film me shumë seri, me skena që xhirohen në ambiente të ndryshme e personazhe që përfaqësojnë një shtresë shoqërore”. Megjithatë ajo çfarë publiku shqiptar shijon çdo të hënë ka qenë një punë jo e vogël për realizuesit. Regjisori Pepo tregon se ato ngjarje janë ndërtuar me jo pak mund, dhe se aktorët kanë bërë një punë të shkëlqyer për të sjellë ato ngjarje në ekran sikur ato të ishin të vërteta. “Për dy vjet është realizuar një prodhim i barabartë me produktin që kinemaja mund të jepte për 15 vjet, thotë Pepo. Unë jam shumë i kënaqur që kam arritur të hyj në zemrat e njerëzve, jo me një “spërkatje të trëndafiltë”, siç janë zakonisht telenovelat por me depërtim në jetën e përditshme, në tërësinë e problemeve të saj.

Dramaturgjia, suksesi i një prodhimi
Regjisori Pepo pranon se për “Njerëz dhe fate” ka punuar një staf i përzgjedhur e mbase më i miri që mund të gjendej në ambjentet e Televizionit Publik. “Të punosh me dramaturgun më të mirë në Shqipëri, Ruzhdi Pulahën, me drejtor fotogafie Astrit Omerin, me teknikun e zërit Kristaq Risto, montazhier Andon Beqari, regjisore të dytë Katerina Çelon, etj sigurisht që ke shpresë te suksesi”,- thotë Pepo. Ndërkohë serial pas seriali regjisori ka shtuar edhe listën e aktorëve pjesëmarrës në ngjarje. Krahas aktorëve të vjetër si Natasha Sela, Robert Ndrenika, Medi Malkaj, Marjeta Ljarja etj u përfshinë edhe aktorë të tjerë të cilët u grupuan në të ashtëquajturin brez i dytë aktorësh. Arben Derhemi, Valbona Imami, Eni Jani tashmë kanë krijuar një imazh të tyrin, një emër dhe një besim të ri për regjisorët. Por ashtu siç pranon edhe vetë regjisori Pepo në lojë janë futur edhe emra të rinj aktorësh, që ende vazhdojnë studimet në Akademinë e Arteve si Lulëzim Zeqja etj. “Kontributi që kanë dhënë aktorët në këtë film më ka lënë të mrekulluar, tregon Pepo. Të gjithë kanë qenë të shkëlqyer dhe kanë sjellë një lojë vërtet të mirë.” 

Category: Seriale
About The Author
-