Yjet e muzikës botërore bashkohen në koncertin “One World: Together at Home”

Bashkohuni me grupin tonë zyrtar në Facebook duke klikuar këtu!

Mbrëmë (18 prill) është mbajtur koncerti virtual i Lady Gagas në bashkëpunim me “Global Citizen” dhe “World Health Organisation”.

Koncerti madhështor i titulluar “One World: Together at Home”, u transmetua në kanale dhe platforma të ndryshme digjitale anembanë botës, si dhe ka përfshirë performancat e yjeve të mëdhenj të muzikës si: Elton John, Chris Martin, Paul McCartney, John Legend, Lizzo dhe Billie Eilish.

Interpretimet e tyre u shoqëruan me mesazhe shprese, inkurajuese dhe këshilla të ndryshme nga Beyonce e deri te ish-Zonja e Parë, Michelle Obama.

Lady Gaga, 34-vjeçare, e cila krijoi evenimentin madhështor, e nisi shfaqjen e saj me këngën “Smile” të Nat King Cole.

“Ajo që unë dëshiroja të bëja sonte, nëse mundem, është thjesht t’ju jap lejen për një moment – të buzëqeshni”, ka thënë Gaga, derisa filloi të këndonte.

NBC, ABC dhe CBS ishin kanalet transmetuese të ngjarjes historike ku së bashku me prezantuesit e njohur Jimmy Fallon, Jimmy Kimmel dhe Stephen Colbert, prezantuan koncertin krahas ekipit të emisionit “Sesame Street”.

Qëllimi i këtij koncerti ishte mbledhja e të hollave për fondacionin, “Solidarity Response Fund”, si dhe organizata tjera lokale apo regjionale të cilat po i ndihmojnë personat në nevojë gjatë kësaj pandemie të koronavirusit.

Po ashtu, ndër qëllimet kryesore të ngjarjes ishte edhe nderimi dhe përkrahja e punëtorëve shëndetësorë të cilët po i rrezikojnë jetët e tyre për t’i shpëtuar të tjerët.

Siç edhe paralajmëroi, kur filloi transmetimi direkt i koncertit njerëzit e kishin për detyrë t’i largonin kuletat dhe kartat e kreditit nga vetja, dhe ta shijojnë këtë shou.

Në mesin e artistëve të përzgjedhur të tjerë ishin edhe Eddie Vedder, Idris Elba, Alanis Morissette, Kacey Musgraves, David Beckham, Billie Joe Armstrong dhe Keith Urban, gjersa paraqitje në këtë shou kishin edhe punëtorët e ndryshëm shëndetësorë prej anembanë botës.

Celine Dion, Andrea Bocelli, Lady Gaga, Lang Lang, John Legend perform “The Prayer” | OW:TAH

Lady Gaga performs “Smile” | One World: Together At Home