Teksa zgjedhjet tashmë kanë përfunduar dhe janë në certifikim e sipër, AMA ka publikuar dhe raportet sa i përket monitorimit të fushatës zgjedhore për të gjitha mediat.
Nga vendimi vërehet se është thyer neni 77 i Kodit Zgjedhor i cili qartëson: “Dita përpara datës së zgjedhjeve dhe data e zgjedhjeve, deri në orën e mbylljes së votimit, formojnë periudhën e heshtjes zgjedhore. Në periudhën e heshtjes zgjedhore nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore nëpërmjet organeve të medias, si dhe zhvillimi i mitingjeve ose i veprimtarive të tjera zgjedhore të subjekteve zgjedhore.”, dhe mbi te gjitha ky nen është thyer dhe nga RadioTelevizioni Shqiptar.
Në raportin e monitorimit të fushatës zgjedhore, AMA raporton se kanalet e RTSH kanë publikuar aktivitete te subjekteve politike të fushatës elektorale.
Më 24 Prill, dita e shtunë para zgjedhjeve, RTSH 2 ka transmetuar kronika mbi aktivitetin e subjekteve politike nga ora 10:02 deri në orën 10:32. Në po të njejtën ditë një kanal tjetër i operatorit mediatik publik, RTSH Kukësi ka transmetuar 2 kronika të aktivitetit të subjekteve politike nga ora 08:11 deri në orën 08:15.
Një televizion tjetër i cili ka thyer Nenin 78 të Kodit Zgjedhor pika 4, i cili parashikon se Rezultatet e Sondazheve Zgjedhore nuk mund të publikohet gjatë 5 ditëve të fundit të fushatës është dhe ABC.
Nga monitorimi i AMA, është konstatuar se ky televizion ka thyer heshtjen zgjedhore më datë 22 Prill 2021 ku nga ora 19:16 – 19:36 ka publikuar gjetejet e një sondazhi në një kohë kur kjo gjë është e ndaluar në pikën 4 të Nenit 78 të Kodit Zgjedhor.
Lidhur me këtë, Autoriteti i Mediave Audiovizive ka vendosur që ti propozojë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të marin masa për OSHMA-t, ABC dhe RTSH për mos-respektimin e kodit zgjedhor.