Pandemia e COVID-19 ndikoi shumë në mënyrën se si ne shohim televizion. Si rezultat i orës policore, përtej karantinës, sjellja e audiencës përballë ekranit erdhi në një formë të re që u shoqërua me risi në ekranin shqiptar. Teksa shumë emisione u anuluan si rezultat i një viti të vështirë dhe një periudhe post-pandemi, duket sikur kjo periudhë erdhi me larmishmëri dhe televizioni dha kontributin e tij për audiencën e cila ishte më e përqendruar para ekranit.
Fushata Elektorale e Zgjedhjeve Pralamentare solli gjithashtu dhe shtimin e programeve të debateve politike sidomos në fashën orare “prime-time”.
Top Channel në përgjithësi është televizioni i cili transmetoi programe origjinale gjatë këtij sezoni. Pothuajse 90% e programacionit të transmetuar gjatë këtij sezoni ishte një prodhim origjinal apo një patentë ndërkombëtare e prodhuar vetë nga televizioni. Këtë vit Top Channel gjithashtu solli në format të plotë “PërPuthen”, një program i kategorisë “dating” i cili bëri bujë mjaft të madhe në ekran.
TV Klan dhe gjatë këtij sezoni përmbajtjen e vetë e sheh tek argëtimi përmes serialeve me origjinë turke. Ajo çfarë vërehet nga grila e programacionit gjatë këtij sezoni është se ky televizon, krahasuar me Top Channel, premierat e programeve origjinale i ka të pakta. Sidoqoftë, televizioni kombëtar u fut në garë me rivalin Top Channel me një program datin të titulluar “Love Story”. Ndryshe nga “PërPuthen” programi u transmetua vetëm njëherë në javë por nga ajo çfarë shihet në botën e rrjeteve sociale nuk ka arriti që të mari vëmendjen maksimale të audiencës.
Vizion Plus duhet thënë se ka një programacion të “vjetëruar” dhe këtë sezon. Përveç një spektakli muzikor, Vizion Plus mbështetet kryesisht tek prodhimet e platformës dixhitale “Tring”. Ashtu si TV Klan, një pjesë e mirë e programeve të këtij televizioni mbështetet tek serialet turke.
RTSH, si një televizion kombëtar dhe ent publik për fat të keq ka një programacion të vakët. Edhe pse premierat janë të shumta ato janë shumë pak të promovuara. Gjatë këtij sezoni përsëri RadioTelevizioni Shqiptar pati një premierë të vakët. Festivali i Këngës që zë gjithashtu një vëmëndje të madhe u promovua shumë pak dhe madje u përcoll tek publiku në një formë ndryshe dhe me plot probleme nga ana teknike por dhe detaje të ndryshme të këtij TV.