Platforma YouTube është themeluar në vitin 2005, nga ku në vitin 2006 pasi u ble nga Google fitoi një popullaritet të vazhdueshëm. Edhe pse fillimisht u pa si një “kërcënues” për televizionin, YouTube u bë një “mik i mirë” i tij, ku jo vetëm i mundësoi televizioneve të krijonin një databazë të programeve lehtësisht të aksesueshme nga audienca, por tashmë mund të gjenerojnë dhe të ardhura.
Kjo gjë është shfrytëzuar masivisht dhe nga televizioni shqiptar, i cili e ka kthyer YouTube në një shtëpi të dytë për të gjithë audiencën. Televizionet kryersore shqiptare madje dhe lokale tashmë të gjithë shpërndarjen e video-ve e krijojnë përmes kësaj platforme. Për shumë media, YouTube shihet si një alternativë që të ofron mijëra euro fitim nga ku mund të nxjerrin gjithashtu dhe shumë kosto të prodhimit, përveç reklamave.
Top Channel prej vitesh ka si bazë kryesore të transmetimit në internet dhe kanalin e tij në YouTube, ku përveç ngarkimit të kronikave informative, televizioni ngarkon në mënyrë të vazhdueshme gjithashtu dhe programet nga të cilat ka fituar gjithashtu popullaritet.
Këtu mund të zëmë rastin e “PërPuthen”, një program dating i cili ka një audiencë mjaft të lartë nga të gjitha grupmoshat dhe që gjithashtu i ka ofruar televizionit të ardhura të konsiderueshme që vetë platforma i ofron. Por televizioni, ka tentuar gjithashtu të prodhojë dhe programe specifike vetëm për YouTube si një provë e re për të kaluar në programe origjinale të dedikuara për streaming.
TV Klan, ndjek të njëjtin ritëm si Top Channel kur vjen fjala për publikimin e programeve të transmetuara. Sidoqoftë, ndryshe nga rivali i tij, Klan ka vendosur që një pjesë të programeve më të ndjekura siç është “Opinion” në PrimeTime dhe “E Diela Shqiptare” ta transmetojë drejtëpërdrejtë në YouTube.
Përmes këtij lloj transmetimi dhe mundësitë që YouTube të ofron, Klan jo vetëm që rrit numrat e audiencës por që gjithashtu i lejon atyre të ndërveprojnë gjatë kohës që ndjekin programin dhe të diskutojnë përmes “live chat”, një opsion i platformës për komunitetin.