“Why Him” titullohet filmi hollivudian që pritet të dalë në kinematë botërore më 25 dhjetor të vitit 2016 dhe që krahas aktorëve me famë botërore si James Franco dhe Bryan Cranston, do të shohë si pjesë të kastit edhe aktorin nga Prishtina, Arbër Mehmeti. Mehmeti është përzgjedhur nga regjisori i famshëm John Hamburg, i cili ka prodhuar një sërë filmash tepër të suksesshëm në të shkuarën si “Meet the parents”, “Along came Polly”, “Duplex” etj.
Arbër Mehmeti, i cili siç raporton Lajmi.net ka një karrierë si aktor në Los Anxheles, është zhvendosur në Shtetet e Bashkuara për të vijuar studimet universitare dhe i është përkushtuar aktrimit duke shfrytëzuar çdo mundësi që i është dhënë. Përpara filmit “Why Him” që mund të jetë një katapultë për emrin e tij në industrinë e kinemasë, ai ka luajtur në filma të tjerë si “I snatched Andy Warhol” dhe “Love of Mass Destruction”.