Në Digitalb, Top Channel, Klan TV, Tring TV, roli i femrave është i rëndësishëm. Në Top Channel, 4 femrat e familjes Hoxha zotërojnë nga 8% të aksioneve secila. Top Channel është televizioni më i madh (pa pagesë) në vend, sipas të ardhurave, me një qarkullim vjetor prej 1.6 miliardë lekësh në vitin 2014, duke u renditur i 12 në listën e kompanive me pronare mbi 30% femra. Të ardhurat e Top Channel ranë me 8% me bazë vjetore në 2014-n.
Në TV Klan, të dytin më të madh, 40% e aksioneve janë në pronësi të Alba Gina. Në vitin 2014, të ardhurat e Klan ishin 849 milionë lekë, me një rënie prej 10% me bazë vjetore. Në listën tonë, TV Klan është në vendin e 21-të.
Ndërsa tre vëllezërit Dulaku janë pronarë të Vizion Plus, bashkëshorteve u kanë lënë në pronësi e menaxhim platformën me pagesë Tring Tv. E 44-a në listë, Tring TV është 100% në pronësi të Holta Dulaku me 33%, Melina Dulaku me 33% dhe Ridvana Dulaku me 34%. Tring TV kishte një qarkullim prej 469 milionë lekësh në 2014-n, me një rritje prej 27% me bazë vjetore.
Digitalb është sipërmarrja më e madhe televizive (dixhitale) në Shqipëri, një ide novatore e të ndjerit Dritan Hoxha 12 vite më parë dhe që ka rezultuar një nga bizneset më të suksesshme e fitimprurëse në vend. Trashëgimia që ai la po vazhdohet nga e shoqja dhe teksa rriten, edhe fëmijët. Pronësia e femrave në Digitalb është 40.8%, nga të cilat 10.19% i zotëron direkt Redia Hoxha, ndërsa 30.6% nga kompania Lorisa, e krijuar në dhjetor 2015, aksionere të së cilës me nga një të tretën janë Lorela Hoxha; Vjollca Hoxha; Sara Hoxha, sipas të dhënave në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Në këtë mënyrë, Digitalb është sipërmarrja e tretë më e madhe në Shqipëri, në pronësi të femrave. Kompania kishte një qarkullim vjetor prej 5.4 miliardë lekësh në 2014-n. Në vitin 2014, norma e fitimit të Digitalb ishte 7%. Kompania ka mbi 300 të punësuar.
Femrat e familjes Hoxha zotërojnë edhe 32% të aksioneve të televizionit Top Channel dhe 80% të aksioneve të sipërmarrjes së kafesë Valtelina.
Digitalb dhe Top Channel kanë në total rreth 1,000 të punësuar. Të dy kompanitë kanë shënuar një rritje të aktivitetit në 2015-n, përkatësisht me 4% dhe 20%.
Marrë nga Revista Monitor