14 persona humbën jetën nga shpërthimi I beftë i flakëve të zjarrit në spitalin modular të Tetovës ku trajtoheshin pacientë me Covid. Të gjitha viktimat janë pacientë ndërsa nuk ka jetë të humbura mes stafit mjekësor. Gjithçka nisi rreth orës 21 kur fillimisht është dëgjuar një shpërthim. Dëshmitarët thonë se zjarri mbuloi me shumë shpejtësi godinat dhe pamja ishte tmerruese.
“Vrapova ndër të parët ishim aty por nuk kishte teori që diçka të intervenosh apo të japësh ndonjë ndihmë, të gjithë ishin aty me polici me zjarrfikës, drejtoria, kryetarja e komunës , ishin në vend ngjarje por nuk mund të intervenohej sepse kaploj një zjarr që nuk e kemi pa në Tetovë asnjëherë”.
Në vendin e ngjarjes shkuan menjëherë forcat zjarrfikëse të cilat kishin për detyrë të vinin flakët nën kontroll, por edhe të shpëtonin jetët e njerëzve.
“Meqenëse flakët e zjarrit aq të mëdha mundoheshim që flakët ti shuajmë por dhe në anën tjetër kolegët të bëjnë evakuimin apo nxjerrjen e njerëzve që ishin në ato objekte, kemi nxjerr njerëz të gjallë por fatkeqësisht edhe të vdekur, por e jona ishte vetëm që të nxjerrim njerëz dhe të shuajmë zjarr”.
Një ditë më pas aty gjithçka është shkrumbuar. Në vendin e ngjarjes janë rikthyer edhe një herë ekspertët që po përpiqen të zbardhin shkaqet e zjarrit. Krahas 3 prokurorëve të Tetovës kanë mbërritur edhe 2 prokurorë nga Shkupi. Grupi i hetuesve ka urdhëruar identifikimin e menjëhershëm të trupave të pajetë pasi për disa prej tyre do të duhet analiza e ADN-së. Janë marrë në pyetje punonjësit e spitalit dhe dëshmitarë me qëllim zbardhjen e rrethanave. Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka shpallur 3 ditë zie kombëtare për shkak të kësaj tragjedie.