Zhvillohet trajnimi për raportimin në media mbi personat me aftësi të kufizuar

“Si të raportojmë për personat me aftësi të kufizuar?/ Garantimi i aksesueshmërisë një detyrim për institucionet”, ishte tema e trajnimit të zhvilluar me gazetarët lokalë të qytetit të Burrelit, ditën e enjte me datë 9 korrik. Ky trajnim u zhvillua nё kuadёr tё projektit“ Të veprojmë për aksesueshmërinë”, një nismë e ndërmarrë nga Fondacioni ‘Sё Bashku’ me mbёshtetjen financiare tё „Leviz Albania“, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC.

Qëllimi i projektit është të përmirësojë aksesueshmërinë për personat me aftësi të kufizuar në Bashkitë: Durrës, Shkodër, Mat nëpërmjet forcimit të aktivizimit të organizatave të aftësisë së kufizuar dhe aktivistëve, me qëllim rritjen e llogaridhënies së bashkive për zbatimin e detyrimeve ligjore mbi aksesueshmërinë.

Trajnimi i nisur fillimisht në qytetin e Burrelit, pritet të vijojë në ditët e ardhshme edhe në qytetin e Shkodrës dhe atë të Durrësit, me gazetarët lokalë të këtyre njësive vendore.

Një nga komponentët e nismës është ngritja e kapaciteteve të gazetarëve për të raportuar saktë mbi çështjen e aksesueshmërisë për personat me aftësi të kufizuar. E në këtë kuadër, drejtoresha e Fondacionit “Së bashku”, Znj. Suela Lala, ka prezantuar legjislacionin në fuqi për aksesueshmërinë për personat me aftësi të kufizuar. Ajo, ka theksuar se Shqipëria ka përmirësuar legjislacionin në fushën e aksesueshmërisë, por sërish mungon zbatimi në praktikë, pasi prania e barrierave vazhdon të pengojë personat me aftësi të kufizuar të marrin pjesë në aktivitete të jetës së përditshme, të punojnë, të arsimohen etj.

Me qëllimin për të fuqizuar zërat në komunitete për të kërkuar zbatimin e aksesueshmërisë për personat me aftësi të kufizuar janë përcjellë fakte e të dhëna për gazetarët e pranishëm edhe nga lektorja e këtij trajnimi, Dr. Jolanda Lila. Përmes shembujve të materialeve të ndryshme filmike, Lila ka nxjerrë në pah anët negative dhe jo profesionale të raportimeve mediative, duke theksuar format e sakta të raportimit, duke nisur që nga rrafshi terminologjik e deri tek konceptimi dhe gjuha e raportimeve mediatike, pavarësisht mediumit që përzgjedhim për kumtim.

Gazetarët e pranishëm, të cilët përfaqësonin, mediumin e radios, televizionit dhe gazetës lokale të këtij qyteti, sollët shembuj konkretë të problemeve që kanë ndeshur gjatë raportimeve mbi kategorinë e personave me aftësi të kufizuar, për shkak të mosnjohjes së legjislacionit apo edhe opinionit të përgjithshëm shoqëror, i cili vijoj t’i njësojë problemet e aftësisë së kufizuar me sëmundshmërinë.

Trajnimi u mbyll me propozimin e disa temave për trajtim nga gazetarët lokalë, tema të cilat lidheshin me vënien në dukje të problemeve të aksesueshmërisë nëpër institucione publike, si dhe me promovimin e talenteve të personave me aftësi të kufizuar, të cilët jetojnë në disa zona të rrethit të Matit.