Anxhela Peristeri ishte e ftuara e Ermira Çaushollit mbrëmjen e sotme në “E ardhmja është vajzë”, ku ka treguar disa detaje të padëgjuara më parë nga jeta e saj.
Gjatë bisedës me moderatoren në ABC News, Anxhela ka rrëfyer edhe një histori të trishtë të jetës së saj, e cila e ka bërë artisten edhe të përlotet në ekran.
“Momente të vështira kam patur plot në jetë sepse gjithmonë ia kam dalë e vetme. Kam punuar që 15-vjeç dhe për një periudhë të gjatë në familje kam punuar vetëm unë!”, – tregon këngëtarja e “Karma”.
Më pas ajo vazhdon duke rrëfyer edhe momentin në fjalë, që duket se e ka shënjuar përgjatë gjithë këtyre viteve: “Kur është operuar mami kemi qenë në Greqi dhe mbaj mend që nuk kishim lekë për të paguar operacionin. Dhe babi sigurisht e ka patur të vështirë operacionin para pesë vitesh sepse kishte një ulçer shumë të madhe dhe nuk dinim se si ishte situata. Ka qenë një periudhë që e ka përjetuar shumë keq dhe nuk dua ta kujtoj fare, dua ta fshij nga memoria!”,
Ajo gjithashtu, u dha edhe një mesazh të gjithë atyre personave që aktualisht po kalojnë situata të vështira: “Qëndroni të fortë ndaj të gjitha situatave që vijnë në jetën tuaj. Kjo është jeta vështirësitë duhet t’i përballojmë dhe sa të mundemi të kemi shpresë dhe besim”.








