Kompania “One Albania” pësoi një sulm kibernetik masiv më 25 dhjetor, duke ekspozuar të dhënat e 1.2 milionë abonentëve. Sulmi, i cili u mor përsipër nga grupi haker “Homeland Justice”, zbuloi dobësitë e sigurisë së kompanisë dhe shkaktoi një kolaps të sistemeve të saj operative. Pavarësisht kësaj, “One Albania” përpiqej të minimizonte dëmin, duke u munduar të fshehë pasojat e sulmit dhe të pretendonte se shërbimet e saj nuk ishin ndikuar negativisht.
Hakerat vazhduan të publikojnë dokumente të brendshme të kompanisë, duke shtuar më tej dyshimet mbi menaxhimin dhe sigurinë e informacionit të klientëve të saj. Së fundmi, ata nxorrën në dritë të dhënat e punonjësve të “One Albania”, duke hedhur dyshime mbi aftësinë e kompanisë për të mbrojtur jo vetëm klientët, por edhe stafin e vet.
Akuzat ndaj “One Albania” për shërbimin e dobët ndaj klientëve dhe ndërprerjet e paarsyeshme të sinjalit të shërbimit celular janë bërë të zakonshme, duke çuar në gjobitjen e kompanisë nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare për shkelje të ligjit. Kjo situatë ka dëmtuar jo vetëm reputacionin e kompanisë, por ka vënë në rrezik të dhënat personale dhe financiare të abonentëve të saj.