RTSH nis përgatitjet për Fest 59

RTSH ka nisur përgatitjet për organizimin e festivalit të këngës, që në dhjetor do të shënojë edicionin e 59-të.

RTSH ka konfirmuar edhe këtë fundvit eventin më të madh të këngës në vend që do të zhvillohet pavarësisht pandemisë.

Nëndrejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, Martin Leka zhvilloi në datë 1 Korrik takimin e parë konsultativ me krijuesit, që kanë lënë gjurmë në këtë festival, muzikantë e tekstshkrues.

Në takim siç raporton RTSH, u diskutuan çështje që lidhen veçanërisht me cilësinë e festivalit, duke nisur që nga ngritja e një komisioni vlerësimi për përzgjedhjen e këngëve e deri tek kriteret për pjesëmarrjen në festival.

Në muajin shtator pritet që krijuesit të paraqesin këngët që do të përzgjidhen për edicionin e 59 -të Këngës në RTSH, ku fituesi që nga viti 2004 përfaqëson Shqipërinë në festivalin evropian të këngës “Eurovision”, i cili u anulua sivjet për shkak të pandemisë.